Sport

Gjithçka gati për ta pritur kombëtaren angleze në Prishtinë

Me posterë “Welcome and Respect”, kosovarët po i urojnë mirëseardhje kombëtares më të madhe që ka zbarkuar ndonjëherë në vend.

Një ditë para ndeshjes Kosovë-Angli në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2020, shumë tifozë anglezë u shprehën të ngazëllyer me pritjen, raporton KTV.

Tifozët anglezë thonë se u ka lënë përshtypje të mira kombëtarja e Kosovës me lojën e treguar.

“Kosova është një ekip i ri dhe i mrekullueshëm, mendoj se kjo është një gjë e mirë për Kosovën dhe për qytetarët në përgjithësi, që e kanë një ekip me të cilin mund të besojnë dhe ndihen krenar”, ka thënë qytetari anglez, Ryan Willsman.

“Do të jetë një ndeshje e vështirë, isha prezent në Southampton, ku Kosova luajti shumë bukur. Mendoj se tani që Anglia është kualifikuar do të jetë pak më e lehtë dhe shpresoj që Anglia të fitojë me rezultat 3 me 2”, është shprehur anglezi tjetër, Will Onald.

“Keni shumë pasion si vend, sytë e të gjithëve janë kthyer kah ju dhe mendoj se për momentin jeni duke shkëlqyer, do të jetë thjesht fantastike”, thekson Federico Flort.

Përderisa qytetarët shpresojnë që pas humbjes nga Çekia, Kosova t’u kthehet fitoreve.

Ata besojnë se djemtë tanë do të japin më të mirën nga vetja për të mos u mposhtur në Prishtinë.

Ndërkohë, përfaqësuesit e Dardanëve thonë se kanë bërë pothuajse të gjitha përgatitjet për ta pritur kombëtaren angleze.

Slogani “Welcome and Respect” është krijuar për të shprehur respektin dhe mirëseardhjen e lojtarëve, të cilët në ndeshjet që i patën në shtetet ballkanike ishin fyer në baza racore.

Ndeshja mes Kosovës dhe Anglisë zhvillohet në ‘Fadil Vokrri’, me fillim prej orës 18:00.