Challandes: S’do të luajmë vetëm në mbrojtje ndaj Anglisë

Challandes: S’do të luajmë vetëm në mbrojtje ndaj Anglisë

Faton Polisi Faton Polisi 16 November 2019 16:53

Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes në konferencë për media sot ka thënë se ekipi i tij nuk do të mbrohet ndaj Anglisë, pasi sipas tij një gjë e tillë do të ishte e rrezikshme kur dihet potenciali sulmues i “Tre Luanëve”.

Ai është shprehur se duhet ta gjejë një bilanc, dhe ekipi të paraqitet sa më mirë, transmeton KTV.

“Për mua është një ndeshje shumë e rëndësishme, sepse është ndeshja e fundit kualifikuese para ndeshjes ndaj Maqedonisë së Veriut. Nëse ju kujtohet pata thënë se ne duhet të kemi progres, kjo ndeshje është mundësi e mirë për ta mbyllur në mënyrën më të mirë”, ka thënë Challandes. “Për neve është një sfidë e mrekullueshme dhe për ne Anglia është ekipi më i mirë në botë me sulm të jashtëzakonshëm e me fitore të thella”.

Ai thotë se tani nuk është e njëjta pas humbjes nga Çekia.

“Nuk është ndeshja e njëjtë sikur të fitonim ndaj Çekisë, por e rëndësishme është sepse është e fundit para ndeshjes së marsit”, ka thënë ai.

Challandes tutje ka shtuar se, “duhet të shohim si do të luajmë në këtë ndeshje të vështirë. Nëse zgjedhim të luajmë vetëm në mbrojtje nuk do të jetë e mirë, por duhet të gjejmë një mes. Është shembulli i Malit të Zi por pësoi thellë, prandaj nuk do të ishte mirë nëse do të luanim vetëm duke u mbrojtur ndaj Anglisë”.

Ai ka thënë se paraqitja e Sterlingut nuk është lajm i mirë për Kosovën, derisa ka theksuar se as të tjerët që i ka parë nuk janë keq.

“Anglia ka shumë lojtarë të mirë dhe ne duhet të bëjmë një paraqitje të madhe përball anglezëve. Vetëm si ekip mund t’i ndalim si Sterlingun ashtu edhe lojtarët e tjerë”, ka thënë Challandes.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme