Rrahmani: Do zhvillojmë lojën tonë për rezultat pozitiv, s’do të ketë fyerje raciste Foto: Koha

Rrahmani: Do zhvillojmë lojën tonë për rezultat pozitiv, s’do të ketë fyerje raciste

Faton Polisi Faton Polisi 16 November 2019 16:39

Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani dhe trajneri i Kosovës Bernard Challandes kanë dalë në konferencë për media.

Në këtë konferencë për media ka pasur interesim të jashtëzakonshëm nga mediat evropiane, transmeton Koha.net.

Rrahmani ka thënë se nesër ekipi do të japë maksimumin në fushë për të arritur një rezultat pozitiv, e një fitore do të ishte motiv shtesë për ndeshjen e Ligës së Kombeve ndaj Maqedonisë.

“Është e vërtetë që kemi pasur zhgënjim (nga humbja me Çekinë), sepse kemi jetuar me ëndrrën që mundemi të kualifikohemi në Evropian dhe ndeshjen që do ta luajmë nesër do të ishte më e rëndësishme se që do të jetë tani. Por, kjo nuk do të thotë se ajo nuk është e rëndësishme, sepse secila ndeshje për neve është një motiv shtesë dhe një mundësi që të përmirësohemi si ekip”, është shprehur Rrahmani në konferencë për media.

Ai ka shtuar se një fitore e mundshme nesër do të ishte një motiv shtesë për sfidën ndaj Maqedonisë së Veriut.

“Normalisht se është e rëndësishme që ta mbyllim me fitore, por gjithmonë është e rëndësishme fitorja. Kurse një fitore ndaj Anglisë kaq të fortë do të ishte shumë e mirë. Kemi karakter si ekip kur jemi gjithë së bashku, këtë e kemi dëshmuar edhe në shumë ndeshje tjera. Ne do të mundohemi ta zhvillojmë ndeshjen tonë për rezultat pozitiv dhe do të ishte sukses i madh pse jo edhe të fitojmë”, ka thënë Rrahmani.

Tutje ai është pyetur se si do të arrijë të ndalë sulmuesin e Tottenhamit, Harry Kane.

“E di që Harry Kane është një nga lojtarët më të mirë në botë, por nuk është vetëm ai, sepse Anglia ka edhe lojtarë të tjerë të mirë, por ne si ekip do të mundohemi t’i ndalojmë të mos shënojnë”, ka thënë mbrojtësi i Kosovës.

Tutje ai ka theksuar se nuk do të ketë fyerje raciste ndaj lojtarëve të Anglisë, ashtu siç kishte ndodhur në Mal të Zi dhe në Bullgari.

“Popullinë Kosovë është shumë miqësor dhe me Anglinë ka një miqësi të fortë. Në vendin tonë nuk ka gjasa të ketë fyerje raciste pasi shumë njerëz janë fansa të futbollistëve të Anglisë”, ka thënë Rrahmani.

Image

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme