Sport

Loew s’e llogarit Gjermaninë mes favoriteve në “Euro 2020”

Përfaqësuesja e Gjermanisë nuk do të jetë në mesin e favoriteve në “Euro 2020” nëse arrin kualifikimin për këtë turne, ka pranuar seleksionuesi Joachim Loew në prag të dy ndeshjeve të fundit eliminatore që po vlerësohen si finale për këtë ekip.

Gjermania, që do të përballet me Bjellorusinë të shtunën (sot) përpara se të luajë me Irlandën e Veriut të martën, ka mbledhur 15 pikë pas gjashtë ndeshjeve dhe ndan dy pozitat e para me Holandën. Irlanda e Veriut është e treta në tabelë me 12 pikë. Dy ekipet e para të grupit sigurojnë direkt kualifikimin dhe Gjermania këtë mund ta konfirmojë qysh në ndeshjen e radhës, ndaj Bjellorusisë që e luan në shtëpi, shkruan sot Koha Ditore.

“Me bindje e them se ne nuk u përkasim favoritëve të evropianit që mbahet vitin tjetër. Franca dhe Anglia ka disa vite që luajnë me lojtarët e njëjtë. Pastaj, aty janë edhe Holanda e Spanja. Kështu që, nëse kualifikohemi, nuk jemi në mesin e favoritëve në asnjë mënyrë”, është shprehur Loew. “Ne kemi një ekip të ri që ende nuk është komponuar mirë dhe për këtë arsye nuk mund të them se mund të kemi ndonjë sukses në Evropian. Ekipi ynë është ende në procesin e ndryshimit dhe kjo kërkon më shumë kohë”.

Gjermania vitin e shkuar pësoi shok të vërtetë kur u eliminua na fazën e grupeve të Kampionatit Botëror “Rusia 2018”, kurse këtë vit ra në një divizion më poshtë në Ligën e Kombeve nga A-ja në B. Loew që prej eliminimit në botëror po mundohet të promovojë skuadër me lojtarë të rinj, por që suksesi është duke i munguar.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)