Sport

Meraku për pikët “e humbura” në ndeshjet e dominuara

Foto: Koha

Një seri e rezultateve pozitive, që kishte nisur në një miqësore më 13 nëntor të vitit 2017, u vazhdua gjatë tërë vitit 2018 në miqësore të tjera e ndeshje të Ligës së Kombeve të UEFA-s. Seria e madhe vazhdoi edhe këtë vit me miqësoren me Danimarkën e më pas me ndeshjet kualifikuese për “Euro 2020”.

Fillimisht rezultatet e barabarta me Bullgarinë në shtëpi (1:1) dhe me Malin e Zi në udhëtim (1:1) u vlerësuan, ndonëse të gjithë mendonin se Kosova ka mundur të marrë më shumë në ato sfida të 25 marsit e 7 qershorit. Por më shumë se për lëshimin e pikëve u fol për vazhdimin e serisë pa humbje.

Tani në përfundim të ciklit të parë eliminator të Kosovës për kampionat evropian, po del që ato barazime në të vërtetë ishin me shumë peshë për Kosovën. Katër pikët e lëshuara në dy ndeshjet që Kosova i dominoi dhe që realisht është vlerësuar se është dashur t’i fitojë”, po e lënë përfaqësuesen “dardane” jashtë Evropianit të vitit tjetër. Kosova do t’i përfundojë kualifikimet në vend të tretë, por me ato katër pikë të “humbura” do të përfundonte ndoshta në vend të dytë, shkruan sot Koha Ditore.

Kosova të enjten mbrëma pësoi 2:1 nga Çekia në Plzen dhe kështu humbi gjasat që të kualifikohet në Evropian përmes kualifikimeve të rregullta. Ndeshja kishte pamje plotësisht të kundërt me atë të ndeshjeve hapëse të kësaj fushate. Çekët kanë dominuar plotësisht në fushë duke rreshtuar rastet. Pos që kanë shënuar dy gola, kanë “prekur” tri herë shtyllat. Kosova ka shënuar thuajse nga rasti i vetëm. Sikur të shfrytëzonte rastet në dy ndeshjet hapëse të këtyre eliminatoreve, të dielën ndaj Anglisë, mbase do të festohej kualifikimi.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)