Sport

Ueb faqja për shitjen e biletave për ndeshjen Kosovë – Angli ende jashtë funksionit

Kanë mbetur jo më shumë se tri ditë deri tek ndeshja e radhës e Kosovës, të cilën do të zhvillojë ndaj kombëtares së Anglisë në stadiumin ‘Fadil Vokrri’.

Që nga dalja në shitje e biletave për këtë ndeshje, qytetarët kanë hasur në probleme të njëpasnjëshme për ti blerë ato.

Sistemi online i shitjes së biletave për këtë ndeshje, tiks.app ka dështuar që nga fillimi.

KosovaPress ka pyetur personat përgjegjës të këtij sistemi, se kur do të fillojë shitja e biletave të mbetura për këtë ndeshje, mirëpo ende nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Teksa mijëra tifozë presin ta kuptojnë kohën kur do të tentojnë ta blejnë një biletë, “tips.app” ka njoftuar se tashmë një pjesë e tyre janë shitur.

Kujtojmë që në njoftimet e mëparshme të kësaj kompanie, Tiks.app ka shkruar se deri më tani janë shitur rreth 10.000 bileta dhe në shitje janë edhe 2000 të tjera.

Ndeshja mes Kosovës dhe Anglisë zhvillohet të dielën me fillim nga ora 18:00, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.