Kulturë

Prezantohet veshja tradicionale japoneze me motive nga Kosova, e cila do të ekspozohet në Lojërat Olimpike

Asociacioni I Miqësisë Kosovare-Japoneze, në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, kanë mbajtur ekspozitën “Kimono: Motive nga Kosova” në hollin e Bibliotekës.

Kimonoja është dizanjerja nga Neoe Kawamura, dhe kjo Kimono përfaqëson Kosovën në ceremoninë e Lojërave Olimpike “Tokyo 2020” në Japoni.

Luljeta Arifi, njëra ndër themelueset e asociacionit, theksoi se u angazhua në organizimin e kësaj ekspozite, duke u bazuar në njërën nga qëllimet dhe misionin e Asociacionit të Miqësisë Kosovaro-Japoneze, në njohjen e kulturës dhe traditës japoneze.

Siç njofton komunikata, Arifi tha se me admirim e shohim Japoninë, si një prej vendeve më të përparuara në botë, e cila ka arritur të kultivojë traditën e kulturën që nga kohët e hershme e deri tani në modernizmin e shekullit të 21.

Në njërën prej Projekteve të organizuara ne Japoni, “ Imagine OneWorld Kimono Project” – Imagjino Një Kimono në Botë, janë krijuar veshje unike për secilin nga 206 vende të botës, me simbolikën për të bashkuar botën në paqe dhe harmoni në Lojërat Olimpike Tokio 2020.

Dizajnerja Kawamura, njoftoi të pranishmit për Kimonon unike me motive nga Kosova, ku ka përdorur dy ngjyrat e flamurit të shtetit të Kosovës, të katërtën dhe të verdhen, dhe se motivet në kimono tregojnë:

1. Yjet që po shkëlqejnë mbi Bibliotekë, që do të thotë se vendi ynë po ndriçohet nga yjet

2. Dizajni i Urës së Gurit Prizren, që do të thotë se ura të çon drejt të ardhmes së ndritshme dhe

3. Hyjnesha në Fron, e cila po shikon njerëzimin.

Kawamura në ekspozite tregoi rreth historikut dhe teknikës së punimit të kimonos. Ajo theksoi se mëndafshi i punuar në Japoni u soll në Kosovë tani, dhe do të shfaqet në Lojërat Olimpike të Tokios në vitin 2020.

Ajo është e ngazëllyer për faktin se Kosova dhe Japonia tani janë të lidhura si Rruga e Mëndafshit.