Një tifoz çek përkrah Kosovën përballë shtetit të tij

Një tifoz çek përkrah Kosovën përballë shtetit të tij

14 November 2019 17:59

Kombëtarja e Kosovës nuk po përkrahet vetëm nga shqiptarët në Çeki.

Paraqitjet e “Dardanëve” në kualifikimet e Evropianit, kanë rritur simpatinë edhe te një qytetar çek, i cili në ditën kur kombëtarja e tij luan kundër Kosovës, e përkrah ekipin e “Dardanëve”.

I tillë është i riu Martin Sneberk, i cili pëlqen jashtë mase Kombëtaren e Kosovës.

Ai, gjatë ditës, ka qëndruar afër hotelit ku qëndron ekipi i Kosovës, duke mbledhur autografe nga futbollistët kosovarë, në një album me fotografitë e futbollistëve të Kosovës.

“Unë jam Martini nga Republika e Çekisë dhe kam koleksionuar një foto-album me lojtarët e Kosovës. Kam arritur t’i marr shumicën e autografeve të lojtarëve, pasi jam tifoz i tyre e në përgjithësi i futbollit. Në albumin tim të fotove mund të shihni ekipet e secilit lojtar të Kosovës, ku kanë luajtur dhe ku luajnë tani”, ka deklaruar ai për KTV-në.

Tifozi special i Kosovës, për Sportin në KTV, ka zbuluar edhe lojtarët e tij të preferuar te “Dardanët”.

“Për herë të parë për lojtarët e Kosovës, kam dëgjuar në vitin 2010. I njoh shumicën e lojtarëve si Valon Berisha, Bersant Celina, Milot Rashica, të cilët ka kohë që i ndjek. Arsyeja pse e kam bërë këtë është pasi që më pëlqejnë këta lojtarë dhe do t’i mbaj si kujtim në albumin tim”, ka thënë ai.

E futbollistët e Kosovës, këtij tifozi të veçantë ia kanë plotësuar dëshirën, duke nënshkruar në albumin dhe vendin ku kërkonte ai autografe.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme