Sport

Milani kërkon dyshen e Arsenalit, Xhaka - Torreira

Milani është duke u interesuar për transferimin e dyshes së Arsenalit, Lucas Torreira e Granit Xhaka, raportoi “Tuttomercatoweb” të hënën.

Shefi ekzekutiv i Milanit, Ivan Gazidis, ia ka vënë syrin ish-skuadrës së tij.

Torreira ka luajtur vetëm katër ndeshje si titullar në Premier League këtë stinor, ndërsa agjenti i tij do të udhëtojë në Angli këtë javë për të biseduar për të ardhmen e Torreiras tek Arsenali. Uruguaiani iu bashkua Arsenalit nga Sampdoria në verën e vitit 2018 dhe ishte vendimtar në serinë e Arsenalit drejt finales së Ligës së Evropës. Por tash ai është i pakënaqur me situatën e tij në klub. Ai ishte kërkuar nga Milani edhe në afatin kalimtar të verës.

Xhaka ndërkohë është pranë të firmosë me Milanin, siç raporton transmetuesi zviceran “RSI”, pasi ka nisur të kërkojë shtëpi në Milano. Xhaka, 27-vjeçar, pritet të largohet në janar, pasi iu mor shiriti i kapitenit si pasojë e acarimit të marrëdhënieve me tifozët.