Sport

Katër gola të shqiptarëve në elitën e Zvicrës

Kemal Ademi, Ermir Lenjani, Bastien Toma dhe Arbenit Xhemajli kanë realizuar nga një gol në xhiron e 14-të të Superligës së Zvicrës në futboll.

Ademi realizoi të dielën golin e parë për Baselin në fitoren 3:0 që e shënoi në udhëtim ndaj Luganos. Për Ademin ishte goli i tetë i shënuar në elitë në dhjetë ndeshje dhe i dhjeti i shënuar në përgjithësi në 18 ndeshje në të gjitha garat.

Gola shënuan të dielën edhe Lenjani e Toma për Sionin, por skuadra e tyre nuk arriti të evitonte humbjen 4:2 në udhëtim ndaj Zuerichut.  Toma realizoi golin e parë të Sionit, ndërsa Lenjani të dytin pas asistimit të Tomës. Ata luajtën tërë ndeshjen. Pajtim Kasami u aktivizua nga minuta e 64-t. Te Zuerichu titullar ishte Benjamin Kololli, por u largua në minutën e 42-të pas një lëndimi.

Ndërkohë tërë ndeshjen luajti Toni Domgjoni. Arbenit Xhemajli të shtunën shënoi një gol për Xamaxin në humbjen 3:2 në shtëpi ndaj Thunit.