KSI fiton përballjen e boksit mes dy yjeve të YouTube

KSI fiton përballjen e boksit mes dy yjeve të YouTube

10 November 2019 21:43

Në përballjen e tyre të dytë në ring të boksit, për të zgjidhur rivalitetin e tyre në botën virtuale, Olajide William Olatunji, i njohur me nofkën KSI, triumfoi të shtunën mbrëma në “Staples Center” ndaj amerikanit Logan Paul, në atë që është vlerësuar si ngjarja më e madhe në internet.

KSI mposhti Paulin 2:1 me vendim të jurisë, në përballjen e tyre të parë në boks profesionist. Dy anëtarë të jurisë vlerësuan luftën 57:54 dhe 56:55 në favor të britanikut KSI, ndërsa i treti 56:55 në favor të amerikanit Paul.

Dy yjet e YouTube ishin takuar në ring të boksit edhe verën e kaluar, por në boks amator atëbotë në Angli, meç që përfundoi me barazim.

“KSI herën e kaluar ishte i frikësuar. Isha i frikësuar të luftoja. Isha i frikësuar të prekja atë. Isha i frikësuar t’i afrohesha. Kësaj radhe jam futur në përballje, thjesht kam vazhduar e kam sulmuar”, ka thënë KSI pas meçit, transmeton Koha Ditore.

Përballja nuk ishte pa kontraversitet. Në raundin e katërt, Paul lëndoi KSI-në me një goditje me aperkat, duke e rrëzuar atë.

Mirëpo, Paul mbajti kokën e britanikut para se ta godiste dhe më pas ia dha një goditje edhe kur britaniku ra në tokë. Referi i ringut Jack Reiss përkohësisht ndali luftën dhe vendosi që t’ia marrë dy pikë Paulit. Kjo doli vendimtare, pasi në vend se raundi të vlerësohej 10:8 për Paulin, u vlerësua 8:8.

Paul nuk vlerësoi korrekt atë vendim.

“Lashë emocionet të më pushtojnë, por them se pa asnjë paralajmërim më morën direkt dy pikë dhe për këtë arsye humba. Do të doja të kontestoja këtë vendim, pasi mendoj se është dashur të kem një paralajmërim”, ka thënë Paul.

Në dy raundet e fundit, dy boksierët thjesht provuan të japin grushte duke dështuar të qëllonin njëri-tjetrin. Përballja mes yjeve të YouTube, që së bashku kanë mbi 41 milionë përcjellës në atë platformë, është promovuar nga promotori i famshëm i boksit, Eddie Hearn.

“Ishte një meç i mirë. Ishte mrekullueshëm dhe u befasova që shkoi në gjashtë raunde. KSI ishte me fat që Logan e goditi prapa kokës. Ai donte të fitonte me çdo kusht përballjen. U kthye nga një i mbaruar dhe fitoi raundin e fundit dhe meçin”, ka thënë Hearn.

Dy yjet e YouTube lanë rivalitetin e tyre pas meçit dhe vlerësuan lart njëri-tjetrin. Para përballjes kishte pasur shumë luftë fjalësh mes tyre.

“Duhet një njeri i madh të futet në ring dhe ti je i madh. Më ke bërë të punoj fort. Më ke bërë të punoj fort sot dhe po ashtu vitin e kaluar. Faleminderit për këtë përballje”, i tha KSI rivalit amerikan.

Paul ktheu përgëzimin për rivalin.

“Je një nga njerëzit më të fortë që njoh. Meriton çdo gjë që ke fituar në jetë. Ke pasur respektin tim edhe para meçit. Dhe pavarësisht se sa flas, e gjitha është për shfaqje dhe për të shitur. Je një nga personat më të fortë që njoh dhe të uroj gjitha të mirat”, ka thënë Paul.

Përballja ishte kryesorja e mbrëmjes në Los Angeles, ku pati meçe edhe për tituj bote në boksin profesionist.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme