Sport

Rrëfimi i futbollistëve të Berlinit Lindor që ikën nga Stasi

Descriptive Text

Dirk Schlegel dhe Falko Goetz kishin qenë shokë me vite në kohën kur vendosën të rrezikonin çdo gjë. Ata ishin rritur së bashku, dy fëmijë të obsesionuar pas futbollit nga e njëjta anë e Berlinit të ndarë. Jetonin afër murit që definoi qytetin e tyre, që kur u ndërtua në vitin 1961.

Bota e tyre si fëmijë ishte e ndarë në të mira dhe të këqija, Perëndim dhe Lindje, imperializëm kapitalist dhe utopi komuniste. Ata të dy e dinin këtë, e të mos përmenden edhe kanalet televizive perëndimore që i shikonin fshehurazi në shtëpi.

Schlegel dhe Goetz u rritën në skuadrat e njëjta të të rinjve të Dynamo Berlinit. Ishin pjesë e një organizimi sportiv që ishte i lidhur ngushtë me Stasin – policia sekrete brutale e Gjermanisë Lindore, shkruan BBC, transmeton “Koha Ditore”. Erich Mielke, lideri famëkeq i Stasit, ishte president nderi i Dynamos. Dy lojtarët kishin diçka tjetër të përbashkët. Në sytë e shtetit, asnjëri nuk kishte besimin e plotë.

“Ne të dy kishim probleme me autoritetet dhe me Dynamon, për shkak se historia jonë ishte e njëjtë. Ai kishte familje në Gjermaninë Perëndimore e unë kisha hallën në Angli. Ato lloj gjërash nuk ishin të mira për të ardhmen tonë. Kishte dyshime. Por ishte më mirë për miqësinë tonë”, ka thënë Schlegel.

Goetz ka bërë debutimin e tij për Dynamon në vitin 1979, në moshën 17-vjeçare. Schlegel bëri debutimin e tij dy vjet më vonë, në moshën 20-vjeçare.

Dy shokët depërtuan në skuadrën më të fortë të vendit, me gjithë vështirësitë që patën në akademi të të rinjve. Ata thonë se shpesh qëllimisht ishin anashkaluar dhe prindërve të tyre u ishte thënë se nuk do të ishte korrekte politikisht që t’i shohin ata të shpërblyer, jo me të kaluarën e tyre.

Por ishte e pamundur të injorohej talenti i tyre. Derisa u zhvilluan, dy lojtarët nisën të paraqiteshin në grupmoshat e reja të Përfaqësueses së Gjermanisë Lindore. Si sportistë, ata ishin pjesë e një numri të kufizuar të qytetarëve që udhëtonin jashtë, shpesh nën mbikëqyrje të madhe.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)