Sport

Behrami kthehet në Itali, por në Serie B

Mesfushori Valon Behrami do të kthehet në Itali, por pritet të jetë pjesë e skuadrës së bën gara në Serie B.

Mediumet italiane kanë raportuar të mërkurën se Behrami është pranë marrëveshjes me Ascolin, që këtë edicion po lufton për t’u kthyer në Serie A.

Behrami javë më parë shkëputi kontratën me Sionin dhe është futbollist i lirë, por tek Ascoli nuk mund të regjistrohet deri në afatin kalimtar të janarit, transmeton “Koha Ditore”. Sipas mediumeve italiane, Behrami në janar do të firmosë kontratë për gjashtë muaj, me mundësi vazhdimi edhe për një vit, nëse ekipi siguron pjesëmarrjen në Serie A.

“Behrami është i gatshëm të kthehet në Itali dhe prej janarit pritet të jetë pjesë e Ascolit”, ka shkruar “Tuttomercatoweb”.

Behrami këtë edicion te Sioni ka regjistruar katër paraqitje. Karrierë ka bërë edhe tek Udinese, Watford, Hamburg, Napoli, Fiorentina, West Ham United, Lazio, Genoa, Verona e Lugano.