Sport

Dy trajnerë kampionë ikin, dy të njëjtë vijnë

Nënkampioni i Kosovës në basketboll, Rahoveci, ka bërë ndryshim në rolin e trajnerit. Ka larguar kroatin Neven Plantak për të afruar maqedonasin Marjan Ilievski. E përbashkëta e tyre në basketbollin kosovar është se që të dy kanë fituar tituj kampioni, gjë që skuadra e Rahovecit e ka synim tash e dy vjet gati.

E njëjtë pritet të veprojë edhe Golden Eagle Ylli. Kjo skuadër tashmë është ndarë me trajnerin Arben Krasniqi, që në të shkuarën ka fituar disa tituj me Prishtinën. Ai pritet të zëvendësohet me malaziasin Dragan Radoviq, që më 2018 shpalli Bashkimin kampion, shkruan sot Koha Ditore.

Radoviq ende nuk është zyrtarizuar, por burime të gazetës mësojnë se marrëveshja është arritur.

“Klubi është në negociata me Radoviqin dhe marrëveshja për kthimin e tij që të punojë në Kosovë është pranë finalizimit. Brenda kësaj jave pritet që gjithçka të jetë zyrtare”, kanë thënë burime të klubit për gazetën.

E zyrtar është largimi i kroatit Plantak dhe emërimi i Ilievskit.

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)