Sport

Taylor në ndjekje të titullit të tretë olimpik dhe rekordit në trehapësh

Foto: Charlie Riedel / AP

Ishte sikur ruajti më të mirën për fund. Pas fitoreve në Botërorin 2011 në Daegu, pastaj në Pekin më 2015 dhe në Londër më 2017, Christian Taylor, fitoi titullin e katërt të botës në kërcim trehapësh më 20 shtator të vitit 2019 në Doha të Katarit.

Ai në dy tentimet e para dështoi, në të tretin arriti kërcim modest, 17.42 metra, por më pas mori hovin. Në tentimin e katërt kërceu 17.86 metra, para se të kërcente 17.92 metra për ta siguruar fitoren para bashkëkombësit të tij Will Claye, që arriti distancën 17.66 metra, përcjell Koha Ditore shkrimin e Olympic.org.

“Kjo fitore është sikur e para. Nuk do të më zërë gjumi sonte. Prindërit e mi ishin këtu, bashkëshortja ime, po ashtu edhe nuni im erdhi këtu nga SHBA-ja. Unë pata përkrahje vërtet të mirë dhe jam krenar që po çoj në shtëpi edhe një të artë për SHBA-në”, tha Taylor menjëherë pas garës. “Është stinori im më i mirë deri më tash. Sigurisht se kam dashur të arrij edhe rekordin e botës për SHBA-në, pasi mendoj se aty e ka vendin. Ne kemi një histori vërtet të fortë në kërcim trehapësh”.

Në të vërtetë, që kur ka nisur të bëjë emër në nivelin më të lartë në fillim të viteve 2000, kampioni i dyfishtë olimpik ka ndjekur rekordin e botës 18.29 metra, që e kishte vendosur britaniku Jonathan Edwards më 7 gusht të vitit 1995 në stadiumin “Ullevi” në Gothenburg të Suedisë.

Taylor iu afrua rekordit në disa raste, e veçanërisht kur fitoi të artën në Botërorin 2015 në Pekin duke kërcyer 18.21 metra, që është kërcimi i dytë më i gjatë i të gjitha kohërave.

“Unë thjesht dua të vazhdoj të luftoj për atë shifër të veçantë”, ka thënë Taylor.

E kur vjen te rekordet, është një tjetër që Taylor po shikon ta barazojë të fitojë tre tituj rresht olimpikë në kërcim trehapësh. Këtë e kishte arritur vetëm Viktor Saneyevi i Bashkimit Sovjetik, duke ngadhënjyer në Mexico City më 1968, në Mynih më 1972 dhe në Montreal më 1976.

Saneyev më pas fitoi të argjendtën në Moskë në vitin 1980. Pas titullit të tij të katërt të botës, Taylor tash ka kthyer vëmendjen te Lojërat Olimpike në Tokio, ku synon të artën e tretë rresht.

“Përqendrimi im tash është te rruga për në Tokio”, ka thënë amerikani. “Unë nuk marrë asgjë të garantuar, janë kualifikimet në SHBA që janë ekstremisht të vështira. Unë besoj se është më së vështiri të zësh vend në skuadrën e SHBA-së; për këtë arsye është aq krenari për të përfaqësuar SHBA-në”.

Një sportist i shquar

I lindur më 18 qershor të vitit 1990, Taylor është rritur në Fayetteville të Georgias në SHBA. Ai ishte një sportist jashtëzakonisht i talentuar në ditët e tij në shkollë të lartë dhe u shqua për futboll amerikan dhe në atletikë, ndërsa garoi në kërcim së gjati, në 400 metra dhe në kërcim trehapësh.

Ai vendosi rekorde në shkollën e lartë të Sandy Creek në të gjitha këto disiplina dhe fitoi tri të arta në Kampionatin Nacional të Shkollave në SHBA, ndërsa kishte fituar të artën në trehapësh në Botërorin e të rinjve në Ostrava të Çekisë në vitin 2017, me kërcim 15.98 metra....(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)