Sport

Stadiumi “Adem Jashari”, larg standardeve të UEFA-s

UEFA e ka dhënë dritën e gjelbër për stadiumin “Adem Jashari”, për të zhvilluar ndeshjet ndërkombëtare.

Shtëpia evropiane e futbollit, nuk e sheh problem sigurinë në Mitrovicë, por institucionet e Kosovës duhet të investojnë për ta përgatitur stadiumin, me standardet që kërkohen, në mënyrë që klubet kosovare do të mund të luajnë në arenën ndërkombëtare.

Por, gjendja aktuale e stadiumit të Mitrovicës, as për së afërmi nuk i plotëson kriteret që kërkohen, ku pothuajse çdo gjë është e prishur, si brenda e po ashtu edhe jashtë.

Mungon ndriçimi për rreth stadiumit, tribuna VIP është e demoluar, shiu që ka rënë ka shkaktuar dëme në muret dhe shkallët e stadiumit, madje ka depërtuar edhe në teshatore, e ku dëmet janë të konsiderueshme.

Njëra ndër pikat e dobëta, është edhe pastërtia, ku vërehet në momentin që i ofroheni stadiumit, i cili nuk i ngjan aspak një impianti sportiv.

Sporti në KTV, të hënën ka vizituar nga afër Stadiumin Adem Jashari, që më së paku i ngjan stadiumi.

Për të gjitha këto prishje dhe shkatërrime në stadium, nënkryetari i klubit të Trepçës, Besim Haxhiu, ka fajësuar kompaninë “Kawa Group”, që sipas tij nuk i ka kryer punët në mënyrë cilësore.

Në fund të qershorit të këtij viti, janë paraparë të zhvillohen ndeshjet e garave evropiane të ekipeve të Kosovës.

Haxhiu është pesimist se në “Adem Jashari” punët do të kryhen brenda kohës së paraparë, në mënyrë që klubet kosovare të luajnë në arenën ndërkombëtare.

Në anën tjetër, drejtori i Departamentit të Sportit në Ministrinë e Kulturës, Ibër Alaj, ka deklaruar për Kohavisionin, se ende nuk dihet se kur do të nisë renovimi i dytë e as shuma që do të investohet, por ai beson se do ta kryejnë me kohë.

Me 1 mars, zyrtarët e UEFA-s do ta vizitojnë “Adem Jasharin” dhe do të japin vërejtjet e tyre, se çka duhet të përmirësohet më së largu deri në fund të muajit qershor.

Alaj premton se nuk do të ndodhë ajo që tashmë ka ndodhur pas investimeve të para.

Në stadiumin që në shikim të parë nga jashtë, i ngjan deponisë së mbeturinave, janë investuar rreth 1 milion euro, në kohën kur stadiumi ishte nikoqir i ndeshjeve miqësore të Kosovës, në vitin 2014.