Sport

Mourinho e Solskjaer përplasen me Kloppin pas derbit

Ish-trajneri i Manchester Unitedit, Jose Mourinho, dhe trajneri aktual Ole Gunnar Solskjaer janë përplasur me trajnerin e Liverpoolit, Jurgen Klopp, pas barazimit 1 me 1 në kryendeshjen e xhiros së nëntë të Premier Ligës.

Kloppi kritikoi taktikat e Unitedit pas ndeshjes duke thënë se goli i “Djajve të Kuq” ishte realizuar pas një ndërhyrje të parregullt që s’u akordua. Ai akuzoi Solskjaerin, por edhe Mourinhon, për lojë defensive në vjetët e fundit.

“Manchester Unitedi kishte momentumin në pjesën e parë sepse ishin për t’u mbrojtur. Që kur jam në Angli, Unitedi gjithmonë luan kështu. S’jam personi që duhet të nervozohet me stilin e Unitedit. Në vjetët e fundit, veç janë mbrojtur, kështu është, s’është kritikë, por fakt”, ka deklaruar ai pas takimit, raporton Reuters. “Kur mendoni United – Liverpool, ju mendoni dy ekipe ofensive, por s’është ashtu”.

Solskjaer refuzoi deklarimin se ekipi i tij mbrohej duke thënë se kanë sulmuar dhe për këtë mori përkrahje nga pararendësi i tij që akuzohej edhe për “parkim autobusi”.

Mourinho, si analist sportiv, ka thënë se Kloppit s’i ka pëlqyer loja e Unitedit sepse ia vështirësonte punët.

“Ai nuk e pëlqente menynë. E pëlqen mishin dhe mori peshk, andaj s’është i lumtur”, ka thënë Mourinho. “Janë sigurisht më të fuqishëm kundër kundërshtarëve që u japin shansin e tranzicioneve dhe kundërsulmeve. Unitedi s’e bëri këtë. Dhe atij s’i pëlqeu. Ishin të organizuar, kishin plan. Mund të pajtohesh ose jo, por kishin plan, të cilit i qëndruan pas”.

Klopp ishte i mërzitur që gjyqtari Martin Atkinson nuk konsideroi një ndërhyrje të parregullt nga Victor Lindelof ndaj Divock Origit në start të aksionit që çoi në golin e Unitedit. Gjermani u shpreh i nervozuar që VAR-i nuk e anuloi golin, por Solskjaer u deklarua ndryshe. “Faull? S’ka shans, nuk po luajmë basketboll”, ka deklaruar ai.

Liverpooli mbetet lider i Premier Ligës me 25 pikë pas nëntë xhirosh, gjashtë pikë para ndjekësit të parë Manchester City. Unitedi është i 13-i me vetëm 10 pikë pas nëntë ndeshjeve.