United – Liverpool, derbi i madh anglez me synime të ndryshme Foto: Sky Sports

United – Liverpool, derbi i madh anglez me synime të ndryshme

18 October 2019 22:22

Derbi më i madh anglez ndërmjet Manchester United dhe Liverpoolit, do të jetë ndeshja kryesore e javës së tetë në Premierligë.

Dy skuadrat më të trofeshme angleze në sezonin e ri, vijnë me ndryshime të mëdha, transmeton KTV.

“Djajtë e Kuq” po kalojnë në krizë të rezultateve, duke fituar vetëm dy ndeshje nga tetë të zhvilluara në Premierligë, duke u renditur në pozitën e 12-të.

Për dallim nga Unitedi, ekipi i Liverpoolit, po kalon formë fantastike në ligë.

Ekipi i drejtuar nga Jurgen Klopp, nuk di për humbje duke shënuar tetë fitore në tetë ndeshje dhe është tetë pikë larg përcjellësit së dytë, Manchester City.

Liverpooli është një ndër kandidatët kryesorë këtë sezon për të fituar titullin e kampionit, që i mungon që nga viti 1989/90.

Manchester United për herë të fundit Premierligën e ka fituar në vitin 2013, me trajnerin Sir Alex Ferguson.

Ndeshja e fundit e zhvilluar në “Old Trafford” kishte përfunduar baras 0:0.

Mungesa të mëdha për këtë ndeshje do të ketë trajneri Solskjaer, ku nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e shumë lojtarëve.

Pogba, Martial, Lingard, Wan – Bissaka, nuk do të paraqiten në këtë takim, përderisa në dyshim mbetet edhe portieri David De Gea.

Te Liverpooli, për këtë takim do të rikthehen portieri Alisson dhe mbrojtësi Matip.

Në formatin e ri të Premierligës, ndërmjet këtyre dy ekipeve janë zhvilluar 55 ndeshje ku Manchester United ka 28 fitore, Liverpooli 14 dhe 13 ndeshje janë mbyllur baras.

Treshja e sulmuesit të Liverpoolit këtë sezon, Salah, Mane, Firmino, ka shënuar 11 gola dy më shumë se e gjithë skuadra e Unitedit këtë sezon.

Ndeshja Manchester United – Liverpool, luhet të dielën nga ora 17:30.

Në ndeshjet e tjera, kampioni aktual Manchester City do të jetë mysafir i Crystal Palacet, përderisa Tottenhami do ta presë Watfordin.

Chelsea do të jetë nikoqir i Newcastlet, përderisa Arsenali do udhëtojë te Sheffield Utd, ndeshje kjo që luhet të hënën.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme