Sport

Debutimi i vashave të Prishtinës në FIBA EuroCup

Kampionia e Kosovës në basketboll në konkurrencën e femrave, KBF Mabetex Prishtina, nesër (e mërkurë) do të debutojë në garat e FIBA EuroCup Women.

Kjo është hera e parë që një klub nga Kosova merr pjesë në një garë të nivelit të tillë.

Vashat prishtinase ndodhen në një grup me dy skuadrat ruse, Sparta &K Moskow Region Vidnoje, MBA Mosow dhe Beshiktashin e Turqisë.

Ndeshja e parë për vashat kryeqytetase do të jetë më 16 tetor në udhëtim te MBA Mosow, derisa ndeshjen e parë në shtëpi do ta kenë ndaj Sparta-s, më 24 tetor. 

Më 31 tetor e presin Beshiktashin, si dhe më pas e presin MBA Moscow më 7 nëntor. Dy ndeshjet e fundit do të jenë si mysafirë, ndaj Sparta-s më 27 nëntor dhe 5 dhjetor ndaj Beshiktashit. Dy ekipet e para kualifikohen tutje.

Trajneri i Mabetex Prishtinës, Fidan Shatri, është shprehur se e rëndësishme është që të kenë paraqitje sa më të mirë. “Do të mundohemi të kemi një paraqitje sa më të mirë në garat evropiane. Kjo është paraqitja e parë në këto gara dhe nuk kemi përvojë. Jemi në një grup shumë të vështirë, megjithatë, ne synojmë të bëjmë paraqitje të mira dhe të përfaqësojmë basketbollin e Kosovës sa më mirë, pasi dihet forca e skuadrave kundërshtare”, është shprehur Shatri për faqen zyrtare të FBK-së.

MBA Mosow-Mabetex Prishtina zhvillohet të mërkurën nga ora 18:00.  

Kjo është hera e parë që një klub kosovar merr pjesë në gara ndërkombëtare, që pas sezonit 2003/2004 kur Universiteti i Prishtinës ka garuar në Ligën Rajonale Trocal.