Sport

Një Berishë i ri po del në skenë te Peja

Descriptive Text

"Pavarësisht se pësuam nga Prishtina, ne fituam publikun që ishte i kënaqur me ekipin tonë edhe pse kemi vetëm dy javë së bashku. Megjithatë, më e rëndësishmja është se të gjithë të pranishmit në palestër folën për Berishën, por jo për Dardanin, po për Albinin", ishte deklarata e trajnerit të KB Peja, Jeronimo Sharin, pas humbjes nga Prishtina javën e shkuar, shkruan sot Koha Ditore.

Në fakt, Sharin kishte plotësisht të drejtë, pasi basketbollisti i ri, Albin Berisha ishte ai që ra në sytë e të gjithëve. 17-vjeçari ndaj Prishtinës luajti për 25 minuta dhe gjatë kësaj kohe në parket, realizoi 13 pikë, tri asistime e tri kërcime. Ishte shënuesi i tretë më i mirë te Peja ndaj Prishtinës pas Henrik Shirkos (15) e Malcolm Armsteadit (14).

Kjo ndeshje u zhvillua vikendin e shkuar në palestrën "Karagaçi" të Pejës që ishte i stërmbushur, kurse derbi i madh i basketbollit të Kosovës u kthye pas një viti pauzë. Peja që kishte pauzuar edicionin e shkuar për shkak të borxheve të mëdha, këtë edicion është kthyer goxha fuqishëm.

Për Berishën që luan në pozitat 1 dhe 2, ndeshja kundër Prishtinës ishte e dyta këtë edicion. Ai në xhiron e parë i kaloi më pak minuta në parket në fitoren ndaj Ponte Prizrenit, por realizoi gjashtë pikë.

Berisha këtë edicion po e shijon aktivizimin e tij me ekipin e parë të Pejës dhe duket se trajneri Sharin ka besim të plotë tek ai. Vetë Berisha thotë se po e realizon ëndrrën e tij, pasi po luan me ekipin e parë të Pejës, por insiston se po mundohet të qëndrojë me këmbë në tokë dhe të vazhdojë punën për t'u zhvilluar edhe më shumë si lojtar....(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)