Sport

Marquez fiton titullin e gjashtë të MotoGP

Foto: Reuters

Motoçiklisti i Hondas, Marc Marquez ka siguruar titullin e gjashtë të MotoGP katër gara pa mbaruar stinori, pas triumfit të dielën në garën e Shpërblimit të Madh të Tajlandës. Ishte fitorja e dytë rresht në Tajlandë e Marquezit, ndërsa ai fitoi një betejë dramatike me fillestarin francez Fabio Quartararo.

Marquezit iu desh të fitonte në garën në Tajlandë vetëm dy pikë më tepër se italiani i Ducatit, Andrea Dovizioso, për të siguruar titullin e katërt rresht të MotoGP dhe të gjashtin në përgjithësi. Derisa Marquez ngadhënjeu në shtegun në Buriram, Dovizioso përfundoi i katërti.

Marquez 26-vjeçar pos gjashtë titujve në MotoGP, ishte edhe fitues në serinë Moto3 për motoçikleta me 125 cc në vitin 2010 dhe në vitin 2012 në Moto2, seri me motoçikleta me 250 cc.

Marquez, që e kaloi Quartararon në rrethin e fundit pas një dueli të fortë, në renditjen e përgjithshme ka 325 pikë, plot 110 më tepër se Dovizioso që zë vendin e dytë. Ai më nuk mund të arrihet.

Spanjolli Marquez pati një rrëzim të madh të premten në prova dhe ishte dërguar në spital për kontrolle të mëtutjeshme, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”. Ai po ashtu u rrëzua edhe të shtunën në kualifikime, mirëpo të dielën në garë nuk bëri asnjë gabim, duke ia mohuar kështu 20-vjeçarit Quartararo fitoren e parë në MotoGP.

Marquez hyri në finish 0.171 sekonda para francezit Quartararo.

I treti doli Maverick Vinales i Yamahas.

“Unë po planifikoja të fitoja garë dhe nuk u mora fare me çështjen e titullit apo distancën mes meje e Doviziosos. Synimi im ishte të gjeja mënyrën më të mirë të mundshme për të fituar dhe e bëra këtë. Fabio ishte mjaft i shpejtë në një pjesë të garës, por arrita të kaloja atë në fund. Kemi pasur një vit të mrekullueshëm, të gjithë te skuadra Repsol Honda kanë bërë punë të mrekullueshme”, ka thënë Marquez.

Marquez është bërë më i riu që ka fituar gjashtë tituj të MotoGP, duke e kaluar legjendën italiane Giacomo Agostini që kishte fituar titullin e gjashtë në moshën 29-vjeçare.

Marquez ka fituar nëntë gara këtë stinor, përfshirë tri të fundit, ndërsa 14 herë në total ka qenë në podium.

“Ishte një garë jashtëzakonisht e shpejtë, po ashtu ishte mjaft nxehtë dhe ishte e vështirë, por unë nuk u dorëzova”, ka thënë Marquez.

Quartararo ka shprehur kënaqësinë për garën e bërë.

“Unë jam shumë i lumtur, kam luftuar deri në kthesën e fundit dhe jam munduar të jap çdo gjë”, ka thënë Quartararo.