Sport

Për trajnerin e Malit të Zi, Kosova është top-skuadër

Mali i Zi ia ka "marrë" dy pikë Kosovës dhe mund të shkaktojë dëme të tjera më 14 tetor në Prishtinë. Ndërkohë Çekia, rivalja e Kosovës për vendin e dytë në grup, ka fituar tashmë gjashtë pikët e mundshme nga përballjet me Malin e Zi.

Lëshimi i dy pikëve në Podgoricë, më 7 qershor, mund t'i kushtojë shumë Kosovës në synimin për kualifikim në Evropianin e futbollit, në tentimin e parë.

Ndonëse Kosova ka aktualisht një pikë më pak se Çekia dhe luan në udhëtim me këtë përfaqësuese, "dardanët" kanë gjasa më të mëdha që të kualifikohen në "Euro 2020".

Kështu ka deklaruar përzgjedhësi i Malit të Zi, boshnjaku Faruk Haxhibegiq, në një bisedë për gazetën. Haxhibegiq në mes të tetorit do të kthehet në Kosovë, në vendin që e vlerëson shumë dhe prej të cilit ka kujtime të mira në karrierën si futbollist.

Ai vlerësohet legjendë e klubit Sarajeva, për të cilin ka luajtur nga viti 1976 deri në vitin 1985. I ka afro 250 ndeshje për këtë klub, ndërsa më pas karrierë ka bërë te Real Betisi në Spanjë dhe te Sochaux e Toulouse në Francë. Karrierën si lojtar e ka mbyllur në vitin 1995 për të nisur menjëherë atë të trajnerit. Në fund të qershorit mori drejtimin e Malit të Zi, kundërshtarit të Kosovës në grupin kualifikues për "Euro 2020".

"Për momentin Kosova është favorite në garën për vendin e dytë dhe ka gjasa reale që të kualifikohet direkt në kampionat evropian, përmes këtyre kualifikimeve. Kosova ka ekip me përvojë ndërkombëtare. Të gjithë futbollistët e saj luajnë në Evropë dhe shumë prej tyre janë të rëndësishëm në ekipet e tyre", ka thënë Haxhibegiq, që nuk ka kursyer lëvdatat për përfaqësuesen e drejtuar nga Bernard Challandes.

"Duke pasur parasysh rëndësinë e lojtarëve të Kosovës në klubet e tyre, klubet ku luajnë ata, atëherë Kosova për nga niveli mund të jetë afër me Gjermaninë apo Brazilin", ka shtuar trajneri me përvojë....(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)