Sport

Bushi vlerëson se Kosova qëndron më lart se Shqipëria

Trajneri i Kombëtares U-21 të Shqipërisë, Alban Bushi, të enjten ka publikuar listën për ndeshjen ndaj Kosovës, që zhvillohet më 15 tetor në Elbasan. Ndeshja Shqipëri - Kosovë i takon Grupit 3 të eliminatoreve për Euro 2021.

Shqipëria është e pesta me 2 pikë nga katër ndeshje, ndërsa Kosova është e treta me 6 pikë nga tri ndeshje. Bushi ka vlerësuar shpirtin luftarak të lojtarëve të Kosovës, ndërsa ka thënë se Kosova qëndron më lart se Shqipëria.

"Kundërshtarin e njohim, është i fortë dhe pretendent për t'u kualifikuar. Kosova ka një grup të lidhur, ndryshe nga ne që bëjmë shumë ndryshime, pasi furnizojmë Kombëtaren A. Presim një ndeshje të fortë. 3-4 lojtarë të Kosovës, nuk dua të përmend emra, i kemi kontaktuar para dy vitesh, por nuk kanë pranuar të vijnë me ne. Për ne nuk është problem. Pika e tyre më e fortë është agresiviteti dhe dëshira që kanë për të fituar, diçka që s'e kanë lojtarët tanë", ka thënë Bushi në konferencën për shtyp.

"Ne mundohemi t'i motivojmë, por nuk e di pse nuk e kanë në gjak. Unë mendoj se Kosova është më lart se ne. Po t'i shikosh lojtarët tanë, kanë më shumë cilësi. Por grinta duket se e mposht cilësinë. Kosova i ka të gjithë lojtarët që luajnë titullarë dhe kanë minuta", ka shtuar Bushi.

Në listën e tij janë disa lojtarë nga Kosova si: Esat Mala (Partizani), Arbnor Muçolli (Vejle), Albion Ademi (Inter Turku) e Agim Zeka (Fortuna Sittard). Seleksionuesi i Kosovës, Rafet Prekazi nuk ka publikuar ende listën për ndeshjen vëllazërore.