Sport

Nazir Jaser, çiklisti sirian me mision të madh

Descriptive Text

Nazir Jaser pranon: "Në realitet, kjo nuk është garë e barabartë. Mendoj se unë jam amatori i vetëm këtu që punon me orar të plotë dhe nget biçikletën pas orarit".

Këto deklarata, Jaser i ka bërë pak para garës së tij më të madhe të vitit, pasi kishte dyshime se si trajner dhe çiklist amator vështirë se do të mund të përballej me elitën profesionale të këtij sporti, përcjell Koha Ditore shkrimin e DW.

Në kampionatin botëror, që këtë vikend përfundoi në Harrogate të Anglisë, ai kishte përballë vetes emra të mëdhenj të çiklizmit, si fituesin e Vueltas, Primoz Roglic, kampionin në fuqi të botës Rohan Dennis, ish-kampionin e "Tour de France", Geraint Thomas dhe kampionin e katërfishtë botëror, Tony Martin.

Në total, kjo garë është e gjatë 54 kilometra dhe shtrihet mes qyteteve Northallerton dhe Harrogate, kurse Jaser është përpjekur të japë më të mirën dhe të mos frikësohet nga konkurrenca, pasi thotë se ka bërë përgatitje për këtë. Ai thotë se është i kënaqur me pjesëmarrjen dhe jo me rezultatin, për të cilin nuk ka dëshirë të flasë.

Kjo ishte hera e tretë që Jaser mori pjesë në botëror pas paraqitjeve që i pati në vitet 2013 dhe 2017. Në tentimin e parë përfundoi i fundit pasi u lejua të përdorte një biçikletë të zakonshme, por as dy paraqitjet e tjera nuk ishin për t'u lavdëruar.

"Në 2017 në Norvegji i lashë prapa dhjetë garues, kështu që edhe në Angli nuk është keq ta lë dikë prapa vetes. Unë këtu kam ardhur për ta parë veten se ku jam në krahasim me të tjerët", pranon Jaser.

Mbi të gjitha, Jaser është i lumtur vetëm me faktin se në këtë botëror ka mundur të startojë me fanellën e Përfaqësueses së Sirisë pas kërkesës që kishte bërë në Federatën Ndërkombëtare të Çiklizmit....(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)