Sport

Allegri me oferta nga Anglia

Descriptive Text

E ardhmja e trajnerit italian Massimiliano Allegri pritet të jetë në Angli, pasi po vlerësohet ndër favoritët për të marrë drejtimin e Manchester Unitedit, Arsenalit apo Tottenhamit, raporton "The Sun".

Allegri është larguar nga Juventusi me marrëveshje bilaterale këtë verë, për të liruar rrugën për Maurizio Sarrin. Ai kishte fituar pesë herë rresht Serie A gjatë periudhës te Juventusi dhe kishte arritur edhe dy herë në finale të Ligës së Kampionëve, transmeton Koha Ditore.

Po ashtu fitoi katër herë Kupën e Italisë e dy herë Superkupën e Italisë. Me Milanin ndërkohë kishte fituar një herë titullin e Italisë dhe një herë Superkupën e Italisë.

Allegri ka mbajtur mësime në gjuhën angleze me muaj dhe karrierën po pritet të vazhdojë në Premier Ligë.

Tottenham është përmendur së fundi si destinacion i Allegrit. Tottenhami të mërkurën mbrëma pësoi një eliminim shokues në League Cup nga skuadra e Kategorisë së Katërt të Anglisë, Colchester, ndërsa trajneri Mauricio Pochettino është i gatshëm të largohet.