Sport

FIBA: “Vreshtarët” nga Kosova të gatshëm të shkruajnë histori në Europe Cup

Uebfaqja zyrtare e Federatës Botërore të Basketbollit, FIBA, ka shkruar për debutimin historik të Rahovecit në FIBA Europe Cup.

“Është shumë herët të përshkruhet si përrallë rruga e Rahovecit nga divizionet e ulëta në Kualifikimet për FIBA Europe Cup, por pak a shumë ashtu është. Vetëm katër vjet që nga promovimi në Superligë, nivelin më të lartë të garave në Kosovë, një klub nga një vend i ri evropian, do të debutojë në garën ndërkombëtare. Kur Rahoveci përballet me Cluj Napocan e Rumanisë më 2 tetor, ngjarja do të mbahet mend si historike për ekipin vendas, pavarësisth rezultatit”, ka shkruar kjo faqe.

Nën titullin për “‘Vreshtarët’ e Kosovës të gatshëm të shkruajnë histori", kjo faqe ka folur edhe me trajnerin e Rahovecit, Neven Plantak, dhe basketbollistin Jure Gunjina.

“E shohim këtë ndeshje si shpërblim për gjithçka që ka bërë klubi në vjetët e fundit. Sigurisht, ëndërrojmë të shkojmë në fazën e grupeve, por dëshira është një gjë dhe realiteti tjetër gjë. Jemi të gjithë të vetëdijshëm se sa e vështirë është përballja me një ekip të madh si Cluji. Andaj, qëllimi jonë i vetëm është të përfaqësojmë veten sa më mirë që të jetë e mundshme në FIBA Europe Cup”, ka thënë Plantak.

“Një gjë që kam vënë re në fillim është se sa e madhe është dashuria për basketbollin këtu. Ky qytet i vogël ka edhe ekip futbolli, por basketbolli është diçka tjetër. Sezonin e fundit, salla jonë kishte mesatarisht 2000 fansa në ndeshjet me ekipet më të dobëta dhe ishte pothuajse e mbushur plotësisht në ndeshjet e mëdha. Cluj Napoca ka buxhet më të madh dhe ekip më të fortë, por ne do të kemi katër apo ndoshta pesë mijë ‘fanatik’ prapa nesh në ndeshjen e parë”, ka thënë i bindur Gunjina, lojtar që dikur ishte paraqitur edhe në Spanjë e Britani të Madhe.

Kjo faqe ka vazhduar duke treguar se vreshtaria është diçka që e bën të njohur Rahovecin. Edhe vetë nofka e ekipit është “Vreshtarët”.

“Sikur suksesi i brenda një nate, Rahoveci erdhi nga nivelet më të ulëta për t’u paraqitur në garë evropiane, dhe gjatë kësaj rruge klubi ishte në dy finale vitin e shkuar – Kupën e Kosovës dhe Superligën – të dyja i humbi ndaj Prishtinës”, ka shkruar më tej FIBA.

“Ishte sukses historik për klubin tonë që na lë pak hapësirë për përmirësime. Një gjë që mund ta bëjmë është të paktën të përsërisim sezonin e shkuar. Një ndeshje kundër një kundërshtari të fortë si Cluji është test i mirë për ne para nisjes së sezonit. Do të shkojmë hap pas hapi dhe Kualifikimet për FIBA Europe Cup janë hapi i parë”, ka përfunduar Plantak.