Sport

Ejupi flet për largimin e Sokolit e caktimin e Dallkut si trajner i Prishtinës

Presidenti i klubit të futbollit Prishtina, Remzi Ejupi, ka folur në Sportin Total në KTV për largimin e trajnerit Bylbyl Sokoli dhe caktimin e Armend Dallku si pasues të tij.

Ai ka thënë se Sokoli u largua, pak ditë pasi mori punën, për shkak të problemeve shëndetësore, dhe jo shkaku i kushteve të klubit.

Ejupi ka akuzuar edhe qeverisjen lokale për mungesën e fushave ndihmëse për klubin që ai udhëheq.

“Bylbyli e ka ditë që nuk i kemi kushtet e mira, pasi nuk kemi fushë ndihmëse. Ai e ka ditë dhe është larguar shkak i sëmundjes, e jo shkaku i kushteve. Ne i urojmë shërim të shpejtë. Ka qytete dhe qyteza që i kanë deri ne tri fusha e ne asnjë. Unë mendoj se fajtor janë udhëheqja lokale, ndoshta edhe e mëhershmja, por edhe e tanishmja. Nuk i kanë dhënë rëndësi të madhe infrastrukturës. Deri me tani nuk kemi pasur lokacion, por tani e kemi dhe besoj që do të jetë për të gjitha klubet e kryeqyteti”, ka thënë ai.

Për caktimin e Dallkut për këtë pozitë, Ejupi ka thënë se pret që ai të tregohet i suksesshëm në këtë pozitë.

“Ne kemi pasur disa alternativa. Kishte mendim që t’i jepet shansi Armend Dallkut. Ka mbi 60 ndeshje me Kombëtaren, ka përvojë. Ka karakter të fortë dhe besoj se mund të jetë i suksesshëm edhe si trajner. Ne besojmë te Dallku. Besoj se pas startit jo të mirë, shumë shpejt ekipi do ta marrë veten, pasi ka lojtarë shumë cilësor”, ka thënë më tej Ejupi.