Sport

Tifozët e Interit e humbin durimin, largohen nga stadiumi

Interi humbi edhe ndaj Sassuolos, humbja e katërt radhazi në Serinë A, që do të thotë lamtumirë Europë dhe që shënoi një ndarje nga tifozët, të cilët braktisën stadiumin San Siro që në pjesën e parë të ndeshjes.

Protesta nisi që kur u lexuan formacionet. Të gjithë lojtarët titullarë të Interit u shoqëruan me vërshëllima. Më pas, “Curva Nord” nisi të ofendojë lojtarët me kore (Bastardë, jeni të padenjë!) dhe të mbështesë trajnerin e shkarkuar pak ditë më parë (Duam Stefano Piolin!).

Pastaj, tifozët shpalosën mesazhe të tjera: “Genoa-Inter e luajtët në kompanitë kineze apo kishit nevojë për të rrumbullakosur rrogën në fund të muajit?” apo “Shoqëri, mos hidhni miliona për palaço, por fusni në fushë skuadrën e dytë”, transmeton TCH.

Në minutën e 20 të pjesës së parë, “Curva Nord” boshatiset dhe ngel vetëm një parullë: “Duke qenë se nuk e meritoni mbështetjen tonë, ne ju përshëndesim dhe po ikim të hamë”.

Pas gjithë këtyre, vjen edhe goli i Sassuolos, me sulmuesin Iemello, i cili do të dyfishonte rezultatin në pjesën e dytë. Eder ishte shënuesi i golit të vetëm të ndeshjes për Interin.