Sport

Hamilton po dominon, por pilotët e rinj po i afrohen

Duket e paevitueshme që Lewis Hamiltoni i Mercedesit do të fitojë titullin e gjashtë në Formula 1 këtë stinor, ndërsa skuderia e tij titullin e gjashtë rresht në konkurrencë të konstruktorëve.

Kur kanë mbetur edhe shtatë gara deri në fund, britaniku Hamilton ka epërsi prej 63 pikëve ndaj kolegut të skuderisë, finlandezit Valtteri Bottas. Max Verstappen i Red Bullit është 99 pikë prapa. Pilotët e Ferrarit, Charles Leclerc dhe Sebastian Vettel, janë 102 dhe 115 pikë prapa, shkruan sot Koha Ditore.

Krahasuar me pesë stinorët kur doli kampion, është epërsia më e madhe që Hamilton ka pasur në këtë fazë.

Mirëpo, nëse performancat e fundit të Verstappenit dhe Leclercut merren për bazë, atëherë nuk do të jetë e lehtë për Hamiltonin që të fitojë titullin e shtatë në vitin 2020, e të barazonte rekordin e vendosur nga Michael Schumacher në vitin 2004.

Holandezi Verstappen i dha fund serisë së Mercedesit prej tetë fitoreve rresht këtë stinor me triumf në Austri, duke mposhtur Leclercun pas një beteje dramatike. Verstappen po ashtu fitoi edhe në Gjermani dhe doli i dyti prapa Hamiltonit në Hungari.

(Detajet mund t’i gjeni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)