Sport

Pengesat e para të pakalueshme për kampionët e hendbollit

Te Istogu janë mburrur shumë edicionin e kaluar që ia dolën të zënë vend në mesin e 16 skuadrave më të mira në Challenge Cup. Klubi i hendbollisteve, Istogu, kishte kaluar në rrethin e tretë skuadrën italiane Cassano Magnago dhe më pas kishte pësuar thellë nga Malaga në Spanjë.

Këtë edicion, Istogu nuk ka mundur të arrijë fare te kundërshtari i dytë. Për herë të parë ka garuar në Kupën e EHF-së, që është nivel më i lartë se Challenge Cup, dhe është ndalur që në rrethin e parë. Istogu të premten e të shtunën u përball në Bjellorusi me skuadrën Gomel dhe humbi thellë të dy takimet, shkruan sot Koha Ditore.

Vetë fakti që pranoi të zhvillojë dy ndeshjet në fushën e kundërshtarit, dëshmon që Istogu nuk ka pasur gjasa të mëdha për të avancuar tutje. Të premten kampioni kosovar humbi me rezultat të lartë, 45:13. Të shtunën në ndeshjen e dytë, që ishte më shumë formalitet, Istogu u mbajt më mirë. Pësoi me 38:22. Kështu Gomeli vazhdoi tutje, ndërsa Istogu u kthehet sfidave vendore.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)