Sport

Çekia e matur para sfidës me Kosovën

Kombëtarja e Çekisë të premten e ka zhvilluar stërvitjen e vetme në Kosovë, para ndeshjes që do ta zhvillojë të shtunën në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë.

Si stërvitja e Kosovës, edhe e Çekisë ishte e hapur për media dhe për shikues vetëm në 15 minutat e para.

Gjatë konferencës për media, përzgjedhësi, Jaroslav Silhavy, ishte i matur në deklaratat e tij.

“Më kanë pyetur edhe në Pragë për atmosferën e zjarrtë që krijohet në këtë stadium. Por, unë sërish them se për ne me rëndësi është të luajmë futboll dhe të ketë një atmosferë të mirë. Edhe Bullgaria ka luajtur këtu dhe asgjë nuk ka ndodhur. Për të dyja ekipet është e rëndësishme të luajmë futboll të mirë”, ka deklaruar Silhavy.

Trajneri i çekëve tutje ka shtuar se ka njohuri për dy mungesat e mëdha të Kosovës, të Milot Rashicës dhe Arbër Zenelit. Por, ai ka vlerësuar se Kosova ka edhe lojtarë të tjerë cilësorë.

“I dimë mungesat që do t’i kenë si Milot Rashicën dhe Arbër Zenelin, por kanë Edon Zhegrovën dhe disa të tjerë shumë energjikë. Kosova ka ekip të mirë, që mund të dalë në sulm shumë shpejt. Kam thënë se pas Anglisë, secila skuadër i ka mundësitë e veta dhe unë mendoj se do të jetë një lojë e mirë. Për çdo ekip, synimi është t’i marrë pikët e plota nga një ndeshje dhe unë mendoj vetëm në fitore. Se kush është favorit, ia lë medieve ta përcaktojnë”, ka shtuar ai.

Çekia për ndeshjen kundër Kosovës ka ardhur me lojtarët më të mirë, që shumica prej tyre luajnë në Spanjë, Gjermani dhe Itali. Pjesë e Çekisë është edhe ish-futbollisti i Romës, Patrick Schick, që deri më tani ka shënuar tre gola.

Edhe kapiteni i Çekisë, Marek Suchy, ka thënë se Kosova ka një sulm shumë cilësor.

“Presim që ta zhvillojmë një lojë ashtu siç dëshirojmë dhe të mos ndikohemi nga asgjë. Secila lojë është shumë e rëndësishme. Ne kemi ardhur për fitore dhe duam fitore. Kosova e ka një sulm shumë cilësor dhe duhet të jemi te kujdesshëm, pasi mund të na ndëshkojnë”, ka deklaruar Suchy.

Çekia është e dyta në grupin A, me gjashtë pikë, po aq sa ka Anglia që është e para dhe një pikë më shumë se Kosova.

Pas ndeshjes kundër Kosovës, Çekia e zhvillon tjetrën në Podgoricë, më 10 shtator, kundër Malit të Zi.