Sport

Mbrojtësi i Çekisë: Jam serb, por nuk kam asgjë kundër Kosovës

Kosova do të luajë kundër Anglisë dhe Çekisë në ndeshjet e radhës eliminatore të Kampionatit Europian 2020.

Mbrojtësi i Çekisë, Stefan Simiq ka folur para sfidës dhe ka theksuar se vjen nga Serbia, por nuk ka të njëjtat mendime si serbët e tjerë për Kosovën, transmeton Koha Jonë.

“Bosnja është e ndarë në tre pjesë, familja ime vjen nga një vend ku jetojnë serbo-boshnjakët. Kështu që unë jam serb, jam ortodoks. Jam person pa konflikte. Disa futbollistë kosovarë përfaqësojnë shtete të tjera, si për shembull Shqipërinë. Kam shokë myslimanë, ortodoksë dhe katolikë. Miqtë e mi janë nga pjesë të ndryshme të ish-Jugosllavisë, Ballkani dhe bota. Nuk kam asgjë kundër askujt”, tha Simiq.