Van Dijk, Messi e Ronaldo, treshja finale për më të mirin e FIFA-s

Van Dijk, Messi e Ronaldo, treshja finale për më të mirin e FIFA-s

02 September 2019 22:10

Mbrojtësi holandez Virgil van Dijk u është bashkuar fituesve të pesëfishtë Cristiano Ronaldos dhe Lionel Messit në treshen finale për futbollistin më të mirë të vitit nga FIFA. Ndërkohë sulmuesja amerikane Megan Rapinoe është favorite për të fituar çmimin në konkurrencë të femrave.

Zbulimi i tresheve finale në secilën kategori - përfshirë edhe për trajnerin më të mirë dhe portierin më të mirë - është bërë të hënën në “San Siro” në Milano. Fituesit do të zbulohen në një ceremoni në teatrin ikonik “Scala” në Milano më 23 shtator.

Luka Modriq, që fitoi çmimin vitin e kaluar pasi udhëhoqi Kroacinë drejt finales së Kupës së Botës, nuk arriti në listën e ngushtë prej dhjetë lojtarëve. Modriq kishte udhëhequr edhe Real Madridin drejt triumfit në Ligën e Kampionëve në vitin 2018.

Van Dijk u është bashkuar Ronaldos dhe Messit pasi ndihmoi Liverpoolin në triumfin në Ligën e Kampionëve në qershor.

Në konkurrencën e femrave Rapinoe do të ketë përballë Alex Morganin e SHBA-së dhe sulmuesen e Anglisë, Lucy Bronze.

Të tre finalistët për trajnerin më të mirë në konkurrencë të meshkujve janë nga Premier League: Juergen Klopp i Liverpoolit, Pep Guardiola i Manchester Cityt dhe Mauricio Pochettino i Tottenhamit.

Derisa Klopp fitoi Ligën e Kampionëve me Liverpoolin dhe Guardiola udhëhoqi Manchester Cityn drejt triumfit në Premier League, Pochettino nuk ka fituar kurrë trofe në karrierën si trajner, por ai ka udhëhequr Tottenhamin drejt finales së Ligës së Kampionëve stinorin e kaluar.

Në futbollin e femrave, ish-seleksionuesja e SHBA-së, Jill Ellis është favorite për të fituar. Ellis ka dhënë dorëheqje si trajnere pasi ka fituar titullin e botës me SHBA-në. Në konkurrencë është edhe seleksionuesi i Anglisë, Phil Neville dhe ajo e Holandës, Sarina Wiegman. Holanda humbi në finale të Botërorit nga SHBA-ja.

Liverpooli po ashtu ka favoritin për të fituar çmimin e portierit më të mirë. Alisson është në konkurrencë me Edersonin e Manchester Cityt dhe March-Andre ter Stegenin e Barcelonës.

Te femrat janë Christiane Endler, Hedvig Lindahl dhe Sari van Veenendaal.

Fituesit do të votohen nga seleksionuesit dhe kapitenët e përfaqësueseve, mediat e zgjedhura dhe po ashtu nga votimi online i tifozëve.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme