Sport

Reagimi i Hamiltonit kur pa aksidentin fatal në Formula 2

Lewis Hamilton ishte duke folur për mediat pas performancës kualifikuese në garën për Çmimin e Madh të Belgjikës kur pa aksidentin e tmerrshëm të Formula 2, që i mori jetën garuesit të ri francez, Anthoine Hubert.

22-vjeçari pësoi lëndime të rënda dhe më vonë u konfirmua se kishte vdekur si pasojë e përplasjes në shpejtësi të madhe me Juan Manuel Correan. Hubert kishte vdekur në spital, ndërsa Correa u operua dhe është në gjendje stabile.

Garuesi i Formula 2 vdes në një aksident gjatë garës

Pesë herë kampioni i botës ishte duke e parë garën direkt dhe në momentin e përplasjes së rëndë ndërpreu edhe intervistën.

“Shpresoj se ai djalë është mirë. Ishte e tmerrshme”, deklaroi ai para gazetarëve duke u larguar menjëherë.

Mercedesi, ekipi i tij, më pas anuloi konferencën për shkak të aksidentit të tmerrshëm. Shumë garues tjerë të Formula 1 ishin duke folur po ashtu në konferencë kur aksidenti ndodhi të shtunën.

Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit pas aksidentit fatal anuloi garën.

Hamilton, në anën tjetër, përmes rrjeteve sociale shprehu ngushëllime për vdekjen e Hubertit.