Sport

Krasniqi bokson kundër Haertelit për titull të Evropës

Descriptive Text

Boksieri kosovar Haxhi (Robin) Krasniqi do të përballet me gjermanin Stefan Haertel për titull të Evropës (EBU) në peshën super të mesme në fund të këtij viti.

Ky do të jetë rimeç mes dy boksierëve që janë pjesë të kompanisë promovuese gjermane SES Boxing.

Në përballjen e parë mes tyre, në maj, Krasniqi kishte pësuar me vendim unanim me pikë nga Haertel, duke e humbur titullin e Evropës. Krasniqi dhe stafi i tij kishin kontestuar atë fitore të Haertelit, transmeton Koha Ditore.

"Haertel boksoi mirë në meç të parë, por ai nuk fitoi. Në raundin e fundit gati sa nuk e nokautova. Pa atë plagë që mora në raundet e para, me siguri se do ta nokautoja", ka thënë Krasniqi për faqen zyrtare të SES Boxing.

Krasniqi 32-vjeçar ka bilanc prej 49 fitoresh (17 KO) e gjashtë humbjesh. Haertel 31-vjeçar ka 18 fitore e një humbje në karrierë.

Haertel ishte paralajmëruar se mund të boksojë me Juergen Braehmerin, mirëpo të martën është konfirmuar rimeçi me Haxhi Krasniqin.

"Unë do ta mposht Robinin sërish. Herën e dytë do të jetë fitore më bindëse", ka thënë Haertel.