Sport

Trajneri i Rusisë suspendohet për veprimin racist ndaj koreaneve

Një trajner i përfaqësueses së Rusisë në volejboll është suspenduar për tri ndeshje pasi ka bërë gjest duke tërhequr sytë anash për të formuar një formë të syve aziatike, pas një ndeshjeje ndaj Koresë së Jugut.

Ndihmëstrajneri i përfaqësueses së femrave të Rusisë në volejboll, italiani Sergio Busato, është fotografuar duke qeshur, ndërsa ka formuar sytë sikur të koreaneve pas ndeshjes që siguroi kualifikimin e Rusisë në Lojërat Olimpike "Tokio 2020", shkruan sot Koha Ditore.

Federata Ndërkombëtare e Volejbollit (FIVB) ka marrë masa pasi ka marrë një ankesë zyrtare nga Federata Koreane e Volejbollit. Kështu që Busato është suspenduar për tri ndeshjet e radhës të Rusisë.

Në një deklaratë të lëshuar të hënën, Paneli Disiplinor i FIVB-s ka njoftuar se Busato ka thyer rregullat disiplinore të federatës ndërkombëtare.

Si rezultat, ai do të humbasë tri ndeshjet e para të Rusisë në Kampionatin Evropian që ka nisur të hënën.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)