Sport

Coleman po rrezikon suspendim të gjatë

Christian Coleman, njeriu më i shpejtë në botë në tre vjetët e fundit, po lufton për reputacionin e tij pas raportimeve se nuk është paraqitur në një numër të testeve të dopingut.

Burime të nivelit të lartë i kanë thënë “Sportsmail” se sprinteri 23-vjeçar amerikan, që ka siguruar kontratë shtatëvjeçare sponsorizuese me “Nike” në vitin 2017 si një pasardhës i Usain Boltit, është duke kundërshtuar një nga tri dështimet për t'u paraqitur në kontroll për doping në vitin e fundit.

Por nëse Coleman dështon që të anulojë njërën nga këto, atëherë mund të përballet me një suspendim të gjatë, që jo vetëm se do ta mbajë atë jashtë Botërorit në Katar muajin e ardhshëm, por edhe jashtë Lojërave Olimpike të vitit 2020 në Tokio, shkruan “Daily Mail”, transmeton “Koha Ditore”.

Sipas uebfaqes së Agjencisë Amerikane të Anti-Dopingut (USADA), dështimi për t'u paraqitur në test dopingu në tri raste brenda 12 muajve mund të rezultojë në një suspendim prej dy vjetëve për atë që është shkelës i parë.

Mësohet se ka bisedime të nivelit të lartë mes Agjencisë Botërore të Anti-Dopingut (WADA), USADA-s dhe Njësitit të Integritetit të Atletikës të Federatës Botërore të Atletikës (IAAF) për këtë rast, ndërsa ekipi ligjor i Colemanit po e kundërshton së paku një nga mungesat.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)