Sport

Interesimi për ndeshje të Kosovës vazhdon të jetë shumë i madh

Foto: Driton Paçarada / Koha

Skuadrat e Superligës së Kosovës në futboll mund të vuajnë nga mungesa e tifozëve. Pak tifozë ka pasur edhe në miqësoren e luksit mes Feronikelit e Milanit e po ashtu në ndeshjet e kupave evropiane. Por situata ndryshon kur bëhet fjalë për përfaqësuesen e Kosovës në futboll.

Seria e rezultateve pozitive dhe forma e lartë e treguar, ka bërë që për përfaqësuesen e Kosovës në futboll të ketë entuziazëm të madh në vend. Për ndeshjet si vendas, stadiumi “Fadil Vokrri” në Prishtinë vazhdimisht është i mbushur me shikues. Madje kërkesat për bileta janë shumë më të mëdha se kapaciteti i stadiumit prej afro 13 mijë vende.

I mbushur me shikues, stadiumi “Fadil Vokrri” do të jetë edhe në ndeshjen e ardhshme të Kosovës, atë ndaj Çekisë që zhvillohet më 7 shtator. Kjo ndeshje vlerësohet me rëndësi të madhe, ndërsa i takon eliminatoreve për “Euro 2020”.

Federata e Futbollit të Kosovës të hënën pasdite ka nxjerrë në shitje biletat për këtë ndeshje. Shitja e biletave, si edhe në të kaluarën, është bërë përmes një platforme “online”. Dhe në bazë të asaj që kanë thënë drejtues të Federatës, interesimi për një biletë ka qenë i jashtëzakonshëm dhe ato janë shitur për pak minuta.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)