Sport

Viktima e McGregorit nuk mundi të dilte nga shtëpia për një javë

Personi të cilën e grushtoi Conor McGregor nuk mundi të dilte nga shtëpia për një javë, pasi fytyra i ishte ënjtur, kanë thënë shokët e tij.

Në një video që ka qarkulluar nëpër internet gjatë javës, ylli i Arteve Marciale të Përziera (MMA), McGregor, është parë duke e grushtuar një person në fytyrë. Irlandezi do të paraqitet në gjykatë në tetor pasi akuzohet për sulm trupor.

Viktima, një 50-vjeçar nga Dublini, ka dhënë deklaratë, por i ka thënë shokëve të tij se nuk është i interesuar në një kërkim falje apo kompensim dhe se dëshiron vetëm drejtësi.

Një nga shokët e tij ka treguar se 50-vjeçari ishte duke shikuar punën e vet kur ndodhi incidenti.

“Ai po pinte kur McGregor erdhi dhe i ofroi të gjithëve nga një gotë të uiskit të tij. Conori insistoi që ai të pijë një gotë dhe kur ai refuzoi për herë të dytë, Conori nuk ishte i impresionuar. Ai e grushtoi anash fytyrës. Nuk ndjeu dhembje në atë kohë, por në ditën tjetër ishte me dhembje. Ishte grusht i fortë. Fytyra e tij ishte shumë e ënjtur. Ai ishte i tronditur nga gjithë kjo dhe nuk lëshoi shtëpinë me ditë të tëra”, ka thënë shoku i viktimës, shkruan “The Sun”, transmeton “Koha Ditore”.

McGregor 31-vjeçar kishte blerë një shishe të uiskit të tij “Proper Twelve” dhe jepte gota falas për të gjithë në bar.

Pasi McGregor dhe një tjetër pinë nga një gotë, viktima 50-vjeçare refuzoi ofertën.

I ofenduar nga refuzimi, McGregor e grushtoi atë në fytyrë, para se të largohej nga të tjerët.

Ylli i UFC-së tash përballet me akuza për sulm të vogël pasi që është konstatuar se ka mjaftueshëm dëshmi për ta paditur atë.

Dhe “The Salty Shamrock”, një bar irlandez në Floridë, ka bërë të ditur se më nuk do të mbajë uiskin e McGregorit dhe nuk do të asociojë biznesin e vet me emrin e luftëtarit.

McGregor do të paraqitet para Gjykatës së Qarkut në Dublin për t'iu përgjigjur akuzave. Nëse shpallet fajtor, ai duhet të paguajë një gjobë për këtë shkelje.

Mësohet se viktima 50-vjeçare kishte porositur taksi për të shkuar në shtëpi, para se të ndodhte incidenti.

McGregor ishte futur në pab, përshëndeti të gjithë para se të porosiste një shishe të uiskit të tij.

Në xhirim që ka qarkulluar shihet McGregor duke mbushur gotat e personave të ulur në shank. Por, 50-vjeçari kishte shtyrë gotën duke bërë me dije se nuk është i interesuar në ofertën e McGregorit. Raportohet se kishte fyer pijen e irlandezit.

Ish-kampioni i UFC-së vendosi sërish gotën para tij, por konsumatori bëri sërish të njëjtën gjë dhe duket se ata shkëmbejnë fjalë.

McGregor më pas e grushtoi 50-vjeçarin. Viktima qëndroi ulur dhe nuk dukej se i la shenjë, e më pas piu birrën dhe shkoi për në shtëpi me taksin që e kishte porositur.

McGregor është i njohur për skandale dhe probleme me ligjin.

Mësohet se McGregorit i është thënë po ashtu se nuk është i mirëseardhur në barin në Dublin.

“Të gjithë ishin të neveritur me sjelljen e tij dhe nuk do ta lënë më në bar”, ka thënë një burim.