Sport

Edon Maxhuni nënshkruan me klubin spanjoll

Klubi spanjoll Herbalife Gran Canaria, pjesë e Ligës Endesa, që është liga superiore në Spanjë, është përforcuar me shërbimet e ish-përfaqësuesit të Finlandës, fundorin 21 vjeçar nga Kosova, Edon Maxhuni.

Maxhuni sapo ka diplomuar nga Universiteti Shtetëror i Long Beach (NCAA) dhe ky do të jetë sezoni i tij i parë në basketbollin profesionit.

Për kalimin e tij në klubin spanjoll nga Las Palmas ka shkruar edhe vet lojtari. “Jam i lumtur të njoftoj se kam nënshkruar kontratën time të parë profesionale me Gran Canarian e Spanjës. Koha për të punuar”, shkroi ai në Facebook, raporton Koha.net.

Uebfaqja “Eurobasket” shkruan se përkundër moshës së re, Maxhuni ka një karrierë mbresëlënëse. Ai fitoi titullin e kampionit finlandez të Divizionit të 1-rë Kategoria B më 2015. Maxhuni më 2018 ishte shpallur si më i miri nga Eurobasket.com në grupmoshat U20 në të gjithë Evropën.

Ai ka qenë edhe anëtar i programit ndërkombëtar të Finlandës për disa vjet. Maxhuni luajti për Kombëtaren seniore të Finlandës për dy vjet dhe para kësaj edhe për Kombëtaren U20 mes 2017 dhe 2018.

Ai ka përfaqësuar Finlandën edhe në Lojërat Botërore Universitare në Napoli (Itali) këtë vit.