Sport

Golat e mbrojtëses Syla në suksesin historik të Mitrovicës

Liridona Syla ishte në qendër të mbrojtjes që kreu punën me plot sukses gjatë turneut të grupit të dytë të raundit kualifikues të Ligës së Kampionëve për futbolliste.

Kampionia e Kosovës në futboll për femra, Mitrovica, pësoi vetëm një gol në tri ndeshje, dhe kjo fare në fund të ndeshjes së parë (90+5'), kur fitorja ishte siguruar tashmë. Mitrovica arriti sukses historik, ndërsa kontributi i futbollistes me përvojë nuk ishte i kufizuar vetëm në ndaljen e aksioneve të ekipeve kundërshtare, shkruan sot Koha Ditore.

Liridona Syla ka shënuar dy gola për Mitrovicën, që fitoi të tri ndeshjet dhe kështu kaloi në raundin nokaut të Championsit. Është hera e parë që një ekip nga Kosova do të luajë në fazën nokaut të garës evropiane për klube të futbollisteve.

Mitrovica është në mesin e 32 skuadrave më të mira evropiane, ndërsa në tri pjesëmarrjet e para ekipet kosovare nuk kishin asnjë fitore.

Syla ia dha të mbarën Mitrovicës me golin e shënuar në minutën e 24-t në ndeshjen ndaj Olimpia Clujit, të luajtur më 7 gusht në Nikshiq të Malit të Zi. Ajo realizoi nga afërsia, pas një skeme të përgatitur, pas një goditjeje nga këndi.

Me golin e saj Mitrovica kaloi në epërsi 1:0, ndërsa Ambra Gjegji realizoi për 2:0 në minutën e 30-të. Cluji rumun ia doli të ngushtonte epërsinë në 2:1 në minutën e 95-të....(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)