Sport

Nxehtësia, pengesë e madhe për ngjarjet testuese të "Tokio 2020"

Descriptive Text

Ngjarjet që mbahen një vit para Lojërave Olimpike supozohet se janë teste për shpresat olimpike, për qytetin nikoqir dhe për federatat sportive ndërkombëtare përgjegjëse për garat.

Ngjarjet e kësaj vere në Tokio kryesisht kanë qenë teste se si të menaxhohet nxehtësia. Të enjten, gara e triathlonit në konkurrencë të femrave u shkurtua për shkak të temperaturave të rrezikshme për shëndetin, shkruan NYT, përcjell Koha Ditore.

Zyrtarët e Tokios kishin shtuar stacione shtesë të ujit dhe staf mjekësor çdo 500 metra në shtegun e vrapimit, shtuan më tepër zona me kondicioner për sportistët para dhe pas garës dhe po ashtu dushe masive të akullit për garuesit afër vijës së finishit.

Mirëpo, u parashikua nxehtësi tepër ekstreme për të mbajtur garën e plotë.

Në orën 3:30 të mëngjesit, përfaqësuesit dhe delegatët u takuan për të matur kualitetin e ujit, temperaturën e ujit dhe për të biseduar për parashikimin e motit gjatë ditës. Takimi nuk ishte diçka jashtë të zakonshmes. Temperatura e ujit dhe kualiteti duhet të testohen për të garantuar sigurinë e sportistëve gjatë notit, sipas rregullave të Unionit Ndërkombëtar të Triathlonit (ITU).

Kualiteti i ujit ishte brenda limitit të pranueshëm. Temperatura e ujit ishte 30 gradë celsius, pak nën temperaturën prej 31.6 gradë celsius që llogaritet tepër e ngrohtë për të garuar.

U konstatua se gjatë seancës së vrapimit temperatura do të jetë tepër e lartë dhe e rrezikshme. Kështu që u vendos që pjesa e vrapimit të zvogëlohet nga 10 kilometra në 5.

Më pak se tri orë para fillimit të garës, sportistët dhe trajnerët morën një e-mail ku u njoftuan për shkurtimin e distancës së vrapimit. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)