Sport

Tottenhami pranë Lo Celsos

Ekipi i Tottenhamit është shumë afër të sigurojë shërbimet e mesfushorit argjentinas Giovani Lo Celso.

Madje, mediumet angleze raportojnë të enjten se 23-vjeçari ka arritur marrëveshje me Tottenhamin, që po negocion me Real Betisin për lirimin e tij, transmeton Koha Ditore.

Mësohet se Betisi po kërkon të paktën 60 milionë euro dëmshpërblim për Lo Celson, i cili pëlqehet nga trajneri i Tottenhamit, Mauricio Pochettino.

Lo Celso është pajtuar me një kontratë pesëvjeçare dhe transferimi i tij pritet të realizohet deri në fund të kësaj jave, pasi vikendin e ardhshëm nis edicioni i ri në Premier League.

Mesfushori Lo Celso ka shkëlqyer edicionin e shkuar te Betisi, duke shënuar 16 gola dhe asistuar gjashtë herë në 46 ndeshje në të gjitha garat.

Ai te Betisi është transferuar vitin e shkuar nga PSG-ja dhe me ekipin spanjoll ka kontratë deri në vitin 2023.