Sport

Malcolm drejt Romës

Braziliani Malcolm ka gjasa të mëdha që gjatë kësaj vere të transferohet te Roma, ekip të cilin e refuzoi një vit më parë për t'iu bashkuar Barcelonës.

Mediumet italiane kanë njoftuar të enjten se Roma është pranë finalizimit të marrëveshjes me Barcelonën për Malcolmin. Ky i fundit pritet të huazohet te Roma për një vit, me opsionin e blerjes së kartonit të tij për 30 milionë euro, transmeton Koha Ditore.

Në fakt, verën e shkuar, Malcolm kishte pranuar ofertën e Romës, por në momentin e fundit ndryshoi mendje dhe u transferua te Barcelona. Kjo e fundit për kartonin e tij, pagoi 41 milionë euro dëmshpërblim.

Në edicionin e shkuar, Malcolm realizoi katër gola në 24 paraqitje për Barcelonën. Ai me ekipin spanjoll ka kontratë deri në vitin 2023. 22-vjeçari, më herët ka luajtur te Bordeauxi.