Sport

Hendboll, Kosova U-21 pëson edhe nga Argjentina

Descriptive Text

Përfaqësuesja U-21 e Kosovës në hendboll (meshkujt) ka humbur ndeshjen ndaj Argjentinës, që ishte e vlefshme për plasman (21-24) në Kampionatin Botëror që po mbahet në Spanjë.

Të mërkurën, në qytetin Ponteverda, Kosova është mposhtur me rezultatin 36:29. Për Argjentinën kjo ishte fitorja e parë në këtë botëror pas pesë humbjeve në fazën e grupeve, ndërkohë Kosova regjistroi humbjen e pestë dhe ka një barazim, atë të arritur në fazën e grupeve ndaj Bahrejnit.

“Fare pak gjëra kanë funksionuar në lojën tonë. Kishte gabime teknike, gjuajtje që nuk përfunduan në portë e po ashtu lëshime në mbrojtje. Kjo ndeshje u shërben djemve tanë vetëm si përvojë në ngjarjen e madhe ku Kosova garon për herë të parë”, thuhet në njoftimin e Federatës së Hendbollit të Kosovës, transmeton “Koha Ditore”.

Hendbollistët e Kosovës vazhdimisht ishin në ndjekje të rezultatit, pasi pjesëloja e parë përfundoi me pesë gola epërsi në të mirë të Argjentinës (18:13). Më të dalluarit te Kosova në këtë ndeshje ishin Drenit Tahirukaj e Jon Muçolli. Tahirukaj realizoi shtatë gola, derisa kapiteni Muçolli gjashtë.

Kosova do ta luajë edhe një ndeshje për plasman, të enjten (sot) kundër Australisë për pozitën e 23-të. Gjithsej janë 24 ekipe pjesëmarrëse.