Sport

Boksieri rus vdes nga lëndimet e marra në ring

Boksieri rus Maxim Dadashev ka vdekur pas lëndimeve të marra në kokë në meçin me portorikanin Subriel Matias, i zhvilluar në Washington gjatë fundjavës. Rusit i ishte hequr ana e djathtë e kafkës nga kirurgët pas lëndimeve serioze në kokë.

Dadashev mori goditje të vazhdueshme në meçin eliminator për titull të botës në peshën super të lehtë - versioni IBF, ndërsa përballja u ndërpre nga trajneri Buddy McGirt në raundin e 11-të.

Trajneri me të ndërprerë meçin kishte thënë se më tepër preferon që të gjithë të jenë të zemëruar në të për një apo dy ditë sesa të zemërohen me të gjithë jetën.

Boksieri kishte telashe të dilte nga ringu dhe kolapsoi para spektatorëve pak para se të dilte nga arena.

Gjendja e tij është përkeqësuar shpejt. Boksieri vjelli dhe humbi vetëdijen, kanë raportuar mediat, transmeton Koha Ditore.

Dadashev ishte dërguar në spital në Washington, ku një pjesë e kafkës iu hoq për të liruar të ënjturin në tru gjatë një operimi emergjent.

Ai kishte pësuar gjakderdhje të madhe dhe po tregonte shenja të dëmtimeve të rënda në tru, siç u raportua. Dadashev ishte futur në komë artificiale, mirëpo ai të martën ndërroi jetë.

"I tronditur me dëgjimin e lajmit se Maxim Dadashev ka ndërruar jetë. Prehu në paqe", ka shkruar promotori britanik Eddie Hearn në Twitter.

Menaxheri i Dadashevit, Egis Klimas, u prononcua pas dërgimit të boksierit në spital. "Dadashev ka përjetuar të ënjtur në tru, kështu që është hequr ana e djathtë e kafkës. Për disa orë e ënjtura duhet të zvogëlohet. Të shpresojmë që ajo pjesë e kafkës të kthehet në vend. Mjekët thonë se Max mund të kthehet në jetë normale. Momentalisht, ai është në gjendje kritike, por mjekët më thanë se është stabil", pati thënë ai.

Bashkëshortja e Dadashevit kishte fluturuar nga St. Petersburgu për të qëndruar pranë tij.

Çifti ka një djalë dyvjeçar.

Dadashev 28-vjeçar para përballjes fatale të fundjavës kishte fituar 13 meçet në boksin profesionist, 11 prej tyre me ndërprerje.