Sport

Dashuria për mbrojtjen italiane e dërgoi De Ligtin te Juve

Qendërmbrojtësi holandez, Matthijs de Ligt, ka treguar se i është bashkuar Juventusit pasi adhuron artin e mbrojtjes në futbollin italian. De Ligt 19-vjeçar është zyrtarizuar të enjten si lojtar i ri i Juventusit.

Ai ka kompletuar transferimin nga Ajaxi për një shumë që do të arrijë deri në 85.5 milionë euro. Juventusi ka njoftuar se 75 milionë euro do të paguhen në pesë vjet financiare dhe po ashtu ka njoftuar për një kosto shtesë prej 10.5 milionë eurosh, që mendohet se është për shërbimet e agjentit Mino Raiola, shkruan sot Koha Ditore.

Vetë De Ligt ka firmosur kontratë deri në verën e vitit 2024.

Holandezi ka shpjeguar arsyen pse ka zgjedhur Juventusin para skuadrave, si Barcelona, Paris Saint-Germain e Manchester United.

"Unë kam luajtur për dhjetë vjet në skuadrën e të rinjve dhe për tre vjet në skuadrën e parë, por për fat të keq më duhet të bëj një hap para tash", ka thënë De Ligt për "Ajax TV". "Unë gjithmonë kam qenë i fascinuar me artin e mbrojtjes italiane. Shumë lojtarë të cilët i shikoj janë italianë: Paolo Maldini, Franco Baresi, Alessandro Nesta, Fabio Cannavaro, Gaetano Scirea... mund të vazhdoj edhe më tej. Kam rënë në dashuri me mënyrën se si mbrohen klubet italiane. Për mua, është pikëllim të largohem nga Ajaxi. Kam përjetuar disa momente të mrekullueshme dhe disa shumë të shëmtuara. Por gjithmonë vjen një moment në jetët tona kur duhet të shkojmë rrugëve të ndara. Do të më mungojnë të gjithë, por askush nuk e di se çfarë të sjellë e ardhmja".

De Ligt do të ketë në kontratë një klauzolë për lirim në vlerë prej 150 milionë eurosh, që do të aktivizohet në vitin e tij të tretë në klub.

De Ligt kishte treguar në qershor se sulmuesi i Juventusit, Cristiano Ronaldo, gjatë përballjes në finale të Ligës së Kombeve, të cilën Portugalia e fitoi 1:0 ndaj Holandës në qershor, i kishte kërkuar atij që t'i bashkohej te Juventusi.