Sport

Basketboll, Kosova U-20 mposhtet nga Gjeorgjia

Përfaqësuesja U-20 e Kosovës në basketboll (meshkujt) ka regjistruar humbjen e tretë në katër ndeshje të zhvilluara në Kampionatin Evropian, Divizioni B, që po mbahet në Portugali.

Kosova të martën pësoi nga Gjeorgjia me rezultatin 86:52.

Dardan Kapiti ishte lojtari i vetëm te Kosova që ndeshjen e mbylli me pikë dyshifrore, pasi realizoi dhjetë sosh, kurse Meriton Ismaili e Andi Vrapçani shtuan nga nëntë pikë për kokë.

Për Kosovën kjo është humbja e tretë, pasi më herët ka pësuar edhe nga Holanda e Estonia. Fitoren e vetme e ka kundër Armenisë.

Ndeshjen e fundit në kuadër të fazës së grupeve Kosova do ta zhvillojë të mërkurën (nesër) kundër Suedisë (19:15).