Sport

Meksikanet po e mësojnë kriketin nga ndeshja në ndeshje

Në të nxehtin e madh meksikan në një fushë të improvizuar të restorantit “Las Ceballerizas” në Huixquilucan, dukeshin fanellat e kuqe të Kosta-Rikës dhe ato të gjelbra të Meksikës.

Është ndeshja hapëse e kriketit T20 të Kampionatit të Amerikës Qendrore (CAC) për këtë vit dhe entuziazmi është i madh.

Në anën e majtë gjendet një grup i tifozëve të Kosta-Rikës. Në anën e djathtë një grup më i madh i tifozëve meksikanë të përbërë nga anëtarët e familjeve të lojtareve dhe po ashtu nga lojtaret rezerviste.

Një flamur i Meksikës është vendosur në pemë. Nuk ka vend këtu për heshtjen britanike që shpesh asocion lojën e briketit, shkruan “Al Jazeera”, transmeton “Koha Ditore”. Dëgjohen vazhdimisht thirrjet “Përpara Meksikë” apo “Përpara Kosta-Rikë”, ku tifozët synojnë të motivojnë lojtaret.

Në fushë frustrimi rritet ndërsa topi del jashtë.

Teknika e kriketit ende është e paperfeksionuar nga shumica e anëtareve të Përfaqësueses së Meksikës.

Mirëpo aty është 39-vjeçarja Analaura Montenegro, lojtare që me energjinë e saj po motivon bashkëlojtaret.

Meksika triumfoi ndaj Kosta-Rikës dhe shënoi tri fitore rresht me këtë përfaqësuese. Fakti se në kampionat ishin vetëm këto të dyja, nënkupton se nuk kishin çfarë tjetër të bënin, pos të luanin mes vete për titull.

Përfaqësuesja e Meksikës në kriket në konkurrencë të femrave u formua më pak se 18 muaj para fillimit të Kampionatit të Amerikës Qendrore këtë vit. Montenegro, e lindur në Mexico City dhe ish-futbolliste e Përfaqësueses së Meksikës, ka bërë stërvitjen e saj të parë në kriket në vitin 2017.

“Sinqerisht nuk kisha fare informata për kriketin. U futa në 'YouTube' për të shikuar se për çfarë bëhet fjalë”, ka thënë Montenegro, gjatë një seance stërvitore në fundjavë. “Vërtet më pëlqeu teknika, është ndryshe nga gjithë sportet e tjera të cilat i kam luajtur”.

Sporti më i vjetër “modern” në Meksikë

Kriketi është sporti më i vjetër “modern” në Meksikë. Ndeshja e parë e regjistruar daton qysh në vitin 1827. Mirëpo në një vend ku kriketi shpesh përzihet me një lojë nga “Liza në Botën e Çudirave”, versioni i femrave në kriket ka dështuar të jetë i qëndrueshëm deri më tash.

Montenegro dhe ish-futbollistja tjetër profesioniste Anjuli Ladron ishin anëtaret e para. Të tjerat - përfshirë futbollistet amatore AnaCeci Septien dhe Maria Pacheco - nuk ishin shumë prapa, falë përhapjes së fjalës dhe po ashtu promovimit në rrjetet sociale.

Aty ishte edhe Tania Salcedo, një teniste 17-vjeçare, që tash është lojtare e rëndësishme.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)