Sport

“Titulli IX”, akti që nxori në pah potencialin e femrave në SHBA

Donna de Varona është një person i madh në sportin amerikan. Kampione e dyfishtë olimpike në not nga “Tokio 1964” dhe gazetare sportive televizive. Ajo dhe tenistja ikonë Illie Jean King janë prapa Fondacionit të Sportit të Femrave, që promovon aktivitetet sportive për femra në SHBA.

Ajo ishte kryetare e Komitetit Organizativ për Botërorin 1999 të femrave në futboll dhe është anëtare e Komisionit të Femrave në Sport në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (IOC). Këto janë vetëm një pjesë e vogël e karrierës së saj të jashtëzakonshme.

“Njerëzit shpesh më pyesin pse ndala me notin garues në moshën 17-vjeçare. Unë kisha thyer 18 rekorde të botës, kisha fituar 37 tituj nacionalë dhe fitova dy medalje të arta olimpike ndër të tjera. Të gjitha këto si tinejxhere në vitet ‘60, gjatë një periudhe të trazuar, të njohur për pionieret femra, por jo për vajzat me veshje noti që të kenë aq shumë ndikim. Përgjigjja e pyetjes është e thjeshtë: nuk ishte 'Titulli IX' në ligjin federal në kohën time, shkruan “Olympic.org”, transmeton “Koha Ditore”.

Nuk kishte sport universitar të nivelit të lartë në konkurrencë të femrave, që mund ta shohësh sot çdo ditë në TV dhe që të ofron një mënyrë për të arritur në institucionet elitare akademike, nuk ishte aty për të ndihmuar sportistet që të vazhdojnë karrierat e tyre në kulm të formës së tyre fizike”, thotë Donna.

Mirëpo e gjitha kjo ndryshoi falë kalimit të një akti amendamentues të edukimit në Kongresin e SHBA-së në qershor të vitit 1972, i njohur si “Titulli IX” që thotë: “Asnjë person në SHBA nuk duhet, në baza gjinore, të ndalohet nga pjesëmarrja apo t'i mohohen benefitet, apo të jetë subjekt i diskriminimeve në çdo program edukimi; apo aktivitet që merr asistencë financiare federale”.

Siç shpjegon De Varona, në atë kohë në fillim të viteve ’70, kur 50 mijë djem shkonin në universitet falë bursave sportive krahasuar me rreth 50 femra, efektet e këtij amendamenti ishin të mëdha në shumë sfera e veçanërisht në sport, pasi femrat gradualisht po përfitonin nga bursat sportive në universitete sikurse djemtë dhe po bënin emër për vete brenda NCAA-së, që organizon garat nacionale.

Para finales së Kupës së Botës të femrave në futboll në fundjavën e kaluar në Francë, Donna de Varona u ftua të jetë pjesë e një paneli “Samiti për Fushë të Barabartë Loje 2019”, i organizuar nga organizata “Fusha e Barabartë e Lojës”, më 5 korrik në Lyon. Samiti ishte për të biseduar dhe për të gjetur ide për ndërtim të një ambienti të sigurt sportiv, të balancuar dhe po ashtu ku respektohen të drejtat e njerëzve, pavarësisht gjinisë.

Donna i shpjegoi audiencës përkushtimin e IOC-it për të larguar barrierat që ndalojnë femrat të marrin pjesë dhe të përfaqësohen në sport në të gjitha nivelet. Ajo, po ashtu, ka treguar për punën e Projektit të IOC-së për rishikimin e barazisë gjinore, një rishikim i gjerë i përbërë nga 25 rekomandime nën pesë tema: sport, qeverisje, portretizim, financim dhe resurse njerëzore.

IOC-ja, po ashtu, përfaqësohej në panel, ku ishte vënë në pah ndalimi i ngacmimeve dhe abuzimit në sport.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)